VIDEO / Lëv ul Kampionët e Botës në stol, Gjermania shkëlqen me të rinjtë

Joakim Lëv ka vendosur që të ndryshojë duke ulur minutazhin e atyre që u shpallën Kampionë Bote katër vite më parë dhe duket se kjo ka dhënë efektin e vet në paraqitjet e skuadrës. Gjermania e mbushur sot me futbollistë të rinj u shfaq përsëri argëtuese dhe fitoi me meritë dhe shumë lehtësi një miqësore ndaj Rusisë me rezultatin 3-0.

Gjithçka niste nga shpejtësia në sulm e emrave si Gnabri e Sane, pa harruar këtu Havertz i cili i dha krijimtarinë që i kishte munguar gjatë këtij viti përfaqësueses gjermane.

Sane ishte ai që shënoi golin e avantazhit që në minutën e 8, ndërsa në të 25-tën, Sule i dalë në ndihmë të sulmit dyfishoi shifrat. Goli i Gnabri në minutën e 40 mbylli pjesën e parë me rezultatin 3-0 i cili në fakt ishte ai që mbylli edhe gjithë takimin pasi rrjetat nuk u tundën më.

Ajo që binte në sy ishte se mes atyre që çuan lart Kupën e Botës në vitin 2014, Lëv kishte përzgjedhur si titullarë vetëm 2, Nojer dhe Ginter, ndërsa 2 të tjerët, Myler e Humels, e nisën ndeshjen nga stoli, me mbrojtësin që në fakt nuk u aktivizua asnjë minutë. Një ndryshim drastik, por që me sa duket po jep frytet e veta pasi sot, Gjermania u duk përsëri argëtuese dhe konkurruese. /vipsport.al/