Tifozët e Skocisë meritojnë duartrokitje, japin çek për bamirësi për fëmijë në Shqipëri

Janë tifozë të flaktë, quhen “Tartan Army”, shkojnë shpesh me fustanellën tradicionale “kilt” në çdo ndeshje të Skocisë dhe në “Loro Boriçi”, të shtunën meritojnë disa duartrokitje nga të gjithë tifozët e pranishëm. Vendin tonë e kanë vizituar shumë grupime të organizuara nga vende të ndryshme të botës, por “Tartan Army” është më e veçanta nga të gjithë, pasi sjell me vete edhe një çek prej 5 mijë paund për ta dhënë në bamirësi për një fondacion që  merret me fëmijët në vendin tonë.

Grupimi ka krijuar prej rreth 15 vitesh një nismë ku shumë prej tifozëve mbledhin fonde gjatë vitit për vizitat që bëjnë në vende të ndryshme dhe sidomos ato në nevojë, duke dhënë para kryesisht për spitalet apo qendrat që merren me fëmijët që kanë nevojë për asistencë. Edhe fondet e mbledhura për vizitën në vendin tonë kanë arritur atë që quhet kufiri maksimal i vendosur prej tyre, një çek prej 5 mijë paund që ata kanë mbledhur dhe do t’ia dorëzojnë të shtunën, në ditën e ndeshjes, fondacionit “Jonathan” në kryeqytet, një qendër e specializuar e cila merret me fëmijët që kanë nevoja speciale si pasojë sindromës Doën apo autizmit.

“Ky është donacioni i shtatë radhazi që kemi bërë në udhëtimet e fundit, i pari është ai në vitin 2003 në Lituani”, shpjegoi për “The Scottish Sun” kryetari i grupit që merret me mbledhjen e fondeve të “Tartan Army”, Nill Forbs. “Kudo që Skocia luan jashtë fushe, ne mundohemi të bëjmë një donacion për një qendër lokale. Të vetmet kushte janë që të jenë jo-fetare, jo-politike dhe të mos orientohen nga qeveria”, shpjegoi ai.

“Ne kemi identifikuar qendrën “Jonathan” në Tiranë me pak ndihmë nga ambasada britanike. Të shtunën në mëngjes do t’i dorëzojmë çekun prej 5 mijë paund, e cila është shuma që mundohemi të mbledhim sa herë që mundemi. Ky është viti i tretë radhazi ku ne arrijmë të bëjmë një donacion të tillë për çdo ndeshje jashtë që kemi luajtur. Në total, ndër vite kemi bërë bamirësi për mbi 120 mijë paund.

Pas prezantimit në Tiranë, tifozët udhëtues do të shkojnë me 26 autobusë në Shkodër për ndeshjen. Shpresojmë që momenti më i lumtur i ditës të mos jetë vetëm dorëzimi i atij ceku”, tha me humor ai.

Ndaj në momentin kur Tartan Army në shkallët e stadiumit të fillojnë këngët e tyre për Skocinë, nuk do të ishte aspak keq që tifozët shqiptarë të harronin për disa çaste emocionet e ndeshjes dhe t’i përshëndetnin me një duartrokitje. Me siguri, disa fëmijë në Tiranë do t’u ishin mirënjohës. /vipsport.al/