Sinemati: Futbollistët tradhtuan, Panuçi është servil i lojtarëve

Opinionisti sportiv, Gëzim Sinemati, mendon se një pjesë e lojtarëve të kombëtares janë kundër Panuçit dhe mbrojtja publike që i bëjnë atij është për sy e faqe. Në “Procesi Sportiv”, ai foli për ndeshjen e humbur 4-0, duke bërë ironi me atë që kishte dëgjuar edhe në komentin e sfidës.

“Ai nuk thotë asgjë konkrete se çfarë i thanë lojtarët. Pësojmë gola të çuditshëm dhe marrim kartonë pa lidhje. Ai nuk qorton asgjë. Bëjnë sikur e mbrojnë, por një pjesë e sulmon. Komentatori thotë se nuk kemi skuadër dhe kemi lojtarë, nuk kemi trajner. Mirë që nuk tha vetëm kemi president.

Asgjë nuk ndodh rastësisht. Pse De Biazi rri pranë Dukës dhe e anasjella, duke i bërë presion Panuçit? Kjo është shëmtirë dhe nuk është parë asnjëherë.

Nuk jemi nga ato kombe që na lidh tifozlliku me futbollistët. Gjithmonë futbollistët kanë folur për federatën në problem dhe jo për tifozët. E këndojnë himnin dhe bëjnë si patriot. Aty ka tekst që thotë “Prej lufte veç ai largohet, që është lindur tradhëtor” dhe ato tradhtuan tifozët. Për kë e këndojnë himnin? Mavraj lë mbrojtjen bosh dhe merr të kuq. Askush nuk fol dhe Panuçi e mban në krah e nuk thotë asgjë. Panuçi bën trim me gazetarët dhe servilë me futbollistët”, tha ai.