Shtyrja e ndeshjes i prish planet Vllaznisë, trajneri Lika: Transfertë delikate

Vllaznia nuk do të luajë të shtunën, por të hënën me skuadrën e Ilirisë. Shtyrja e ndeshjes bëhet për shkak se në “Redi Maloku”, stadiumi i skuadrës së Ilirisë, sot ka luajtur Kastrioti ndaj Partizanit. Madje edhe të shtunën, krutanët do të presën në këtë impiant ekipin e Kamzës.

Trajneri i skuadrës së Vllaznisë, u bën thirrje lojtarëve që ta vlerësojnë kundërshtarin e radhës. Ja çfarë ka pohuar Hasan Lika, në një prononcim për mediat gjatë seancës së sotme stërvitore: “Ndeshja me Ilirinë është e fortë, luajmë në fusshën e tyre dhe normalisht kundërshtari kërkon më të mirën. Por edhe ne kemi objektivin tonë, ndaj edhe na duhet që të marrim 3 pikët, sepse deri më tani kemi bërë vetëm detyrën”.

“Iliria, për të qenë realist është një ekip që ka luajtur mirë edhe me skuadrat tona rivale duke marrë edhe rezultate pozitive. Në këtë drejtim po e përgatis skuadrën që të bëjmë kujdes në transfertën e radhës”, – tha trajneri i skuadrës së Vllaznisë, Hasan Lika.

E.S./Vipsport.al/