Shkëmbi: Kamza një ekip i vështirë për tu mundur, por ia dolëm me punë

Trajneri i Teutës, Bledi Shkëmbi u shpreh shumë i kënaqur me skuadrën e tij, jo vetëm për faktin që përmbysir disavantazhin e pjesës së parë, por dhe loja që djemtë e tij bënë e ka kënaqur. Për “Supersport”, Shkëmbi tha:

Pësimi i golit dhe ndeshja: “Po është e vërtetë, ne bëmë një ndeshje të mirë. As në pjesën e parë nuk ishim keq, por u ndëshkuam nga një moment shpërqendrimi. Grushtimin e portierit tonë nuk e priti asnjë nga mbrojtësit dhe prandaj u ndëshkuam. Kamza është një ekip i vështirë për tu mundur, por ia dolëm me punë.

Rritja e skuadrës: “Nuk e diskutoj, përveç pikëve që kemi marrë, më kënaq edhe loja që ka bërë ekipi. Fitoret janë dyfish me vlera, pasi ne nuk po luajmë në shtëpi. Skuadra është rritur dhe kemi bërë shumë mirë.

Ekuilibrat: Pothuajse në çdo ndeshje nuk jemi në ekuilibër dhe pësojmë gola. Gjithsesi, ne flasim dhe bëjmë maksimumin për tu përmirësuar. Edhe sot e kemi nisur ndeshjen në disavantazh dhe për të barazuar takimin, skuadra humbet ekuilibrat. Gjithsesi, të gjithë bënë një punë të mirë.

Mungesa e inteligjencës: “Është e vërtetë që futbolli nuk ka vetëm anën fizike, por dhe inteligjencën në fushë. Kjo na mungon disi, por nuk kemi ç’të bëjmë. Me kalimin e kohës dhe me fitimin e eksperiencës, gjithçka do të rregullohet. Duhet durim dhe punë.

Duro: “Jo, kjo fitore nuk ishte përgjigje për Duron. Kjo fitore ishte e rëndësishme vetëm për ne. Për Klodin kam respekt dhe i uroj suksese”,- përfundoi Shkëmbi./Veronik Istrefaj – vipsport.al/

more recommended stories