Shehu: FSHF po bëhet palë me shtyrjen, dëmton Partizanin dhe Flamurtarin

Vendimi i FSHF për të shtyrë ndeshjen mes Laçit dhe Skënderbeut në mesjavë, krijon në precedent të rrezikshëm për futbollin shqiptar dhe tregon se si FSHF vazhdon të shkelë rregulloret e saj. Drejtori i Vip Sport, Fation Shehu, shpjegoi në “Rubrika Sportive” se FSHF nuk ka aplikuar atë që parashikon rregullorja për raste te tilla.

“Ky rast është një shkelje e rregullores. Mund të veprohej ndryshe sipas asaj që parashikon rregullorja. Një skenar i përdorur është ndërrimi me marrëveshje i fushës, që të luhej në Korçë dhe në fazën tjetër të zhvendosej ndeshja në Laç. Ka ndodhur si precedent, por kushti i parë në rregullore është detyrimi i organizatorit që të organizojë ndeshjen ku të dojë. Nëse nuk e gjen, humb ndeshjen në tavolinë. Ke detyrimin të shkosh në një stadium që gjen kushte, flet rregullorja. Nuk dihet pse duhet të pranojë kompromisin, ose të gjejë fushën ose të kërkojë shkëmbimin. Me dashje Federata po bëhet palë. Hajduti do gjithmonë të vjedhë diçka e t’i shpëtojë ligjit, nëse polici e lejon, nëse federata nuk interepton rregulloren.

Në situatën aktuale, nuk ka pse të kursejnë apelimet Flamurtari e Partizani, ndikohet në mënyrë direkte gara. Shtyrja ka ndodhur, por për çudi ndodh pikërisht atëherë kur luhet ndeshja në mesjavë e kalendari është i ngjeshur.

Më parë, Flamurtari ka luajtur në Fier, ka dashur të luajë me Laçin në Ballsh dhe nuk e kanë lejuar, luajtën në Peqin. Të gjitha klubeve u është bërë e njëjta kërkesë të gjejnë fushën, nuk kuptohet pse federata duhet të bëhet palë. Laçin e Skënderbeun i mirëkuptoj, të gjithë do të dëshirojnë të ishin në situatën ku mund të çlodhin lojtarët.

Po ky krijon precedent, Tirana mund të thotë dua të shtyj ndeshjen derisa të plotësoj kushtet e sigurisë në stadiumin “Selman Stërmasi”. Edhe Kastrioti do të kërkojë se nuk ka kushte sigurie në Fushë Krujë e të shtyhet. Edhe Partizani kur të luajë në “Selman Stërmasi”, për shkak të kushteve derisa të rregullohet nuk do të shkojë në vend tjetër. Behet një situatë paradoksale, edhe ndikuese në kampionat”, tha Shehu. /vipsport.al/

more recommended stories