Rriten shanset për “mbijetesë”, Shqipërisë i jep një dorë… Serbia

Megjithëse Ligën e Kombeve e mbyllëm në mënyrën më të keqe, duke u turpëruar me shifrat 0-4 në stadiumin “Loro Boriçi”, fati duket se po na ndihmon për të evituar një turpërim të dytë. Duke qenë se jemi në një grup me 3 ekipe, edhe pse Shqipëria renditet në vendin e fundit, sërish do të ketë një shans për të qëndruar në Ligën C, ndryshe nga ekipet e tjera të vendeve të fundit që bien një Ligë më poshtë.

Sistemi i këtij kompeticioni është i tillë: Bien të gjitha ekipet e vendit të katërt dhe një ekip nga vendi i tretë. Ekipi që bie nga vendi i tretë përcaktohet në bazë të një renditjeje të veçantë dhe merrte ekipi me më pak pikë të grumbulluara. Këtu, do të hiqen pikët  fituara ndaj vendit të fundit dhe llogariten vetëm pikët ndaj vendit të parë dhe vendit të dytë.

Në këto kushte, Shqipërinë e favorizon fitorja në debutim ndaj Izraelit me rezultatin e ngushtë 1-0, për t’i dhënë skuadrës 3 pikët e para dhe të vetme. Skuadrat e tjera të vendit të tretë, janë Hungaria, Qiproja dhe Mali i Zi, me këto dy të fundit që kanë një bilanc më negativ se ne. Mali i Zi kishte mbrëmë mundësinë për të siguruar qëndrimin në Ligën C, por humbja 2-1 ndaj Serbisë, e renditi në vendin e fundit, duke rritur shanset për Shqipërinë.

Megjithatë, ende nuk ka përfunduar asgjë duke qenë se të dyja skuadrat kanë në dispozicion edhe nga një ndeshje tjetër, ku vetëm fitorja e të dyjave e fundos Shqipërinë. Qiproja pret nesër në shtëpi Norvegjinë, ndërkohë që Mali i Zi do të luajë në datën 20 ndaj Rumanisë në shtëpi. Shqiptarëve iu mbetet të shpresojnë dhe të bëjnë tifo për Rumaninë dhe Norvegjinë këto ditë, ose të paktën të shpresojnë vetëm për barazime. /Erjon Allaraj-VipSport.al/