Ronaldo “Fenomeni” veçon momentin më të bukur: Ishte magjike, të gjithë në këmbë për mua!

Futbollin e ka në gjak dhe topi do të jetë gjithmonë pjesë e jetës së tij. Ronaldo “Fenomeni” tani është president i Valadolidit në Spanjë, ndërkohë që karriera e tij si futbollist është e mbushur me sukses. Momentet më të bukura ai i ka rrëfyer për “Sky Sport”, duke veçuar një episod si më të bukurin për të. Lidhet me Realin e Madridit dhe ndeshjen me Mançester Junajtid në sezonin 2002-03.

“Të luash për Realin është ëndërr, siç është edhe të veshësh fanellën e Brazilit. Kujtoj që një nga momentet më të bukur të jetës sime është ndeshja e Championsit kundër Mançesterit në “Old Trafford”. Ishte ndeshje e bukur dhe e hapur, ku shënova tre gola. Por më e bukura ishte kur u zëvendësova.

Tifozët bënë një “standing ovation” për muam. Të gjithë në këmbë, nuk e prisja. U surprizova nga reagimi spontan i kundërshtarëve të mi. Ishte diçka magjike. Futbolli është gjithçka dhe kur shoh pas, për mua është një krenari ajo që kam bërë”, – ka treguar “Fenomeni”. / Vipsport.al/F.R