PSG-ja i skedonte lojtarët e rinj në bazë të etnisë, shpërthen Turam: Fakte të rënda!

Për shumë vite, PSG-ja i ka seleksionuar lojtarët e rinj në bazë të origjinës së tyre. Një metodë ilegale, e zbuluar nga “Mediapart”, që shpjegon se klubi parisien ka skeduar që nga viti 2013 deri në vitin 2018 qindra lojtarë të rinj edhe në funksion të prejardhjes. Klubi nuk e ka përgënjeshtruar lajmin, por ia ka faturuar gjithçka drejtuesve të mëparshëm, edhe pse me të njëjtën metodë puna ka vazhduar edhe së fundi.

Vëzhguesve të PSG-së u kërkohej që në skedat e punës së lojtarëve të regjistronin edhe prejardhjen etnike të tyre. Gjithçka bëhej nën mbikëqyrjen e Mark Uesterlop, ish-shefi i skauterave, si dhe të Olivier Letang, tani president i Renes. Të dy, sipas “Madiapart”, ia kanë kaluar përgjegjësinë PSG-së. Klubi në fakt ka vazhduar me të njëjtin sistem edhe me drejtuesit e rinj, me portugezin Antero Henrike.

Lilian Turam, ish-mbrojtës i Francës dhe aktiv në luftën kundër racizmit, thekson se bëhet fjalë për “fakte shumë të rënda, ndoshta të nisur nga individë të caktuar, por edhe për papërgjegjshmëri të institucionit”. PSG-ja ka bërë me dije se tashmë ka forcuar rregullat e etikës për gjithë personelin.

Në Francë shpërtheu në vitin 2011 skandali me bazë etike i përgatitjes së lojtarëve në qendrën kombëtare të “Clairefontaine”. Një çështje që la gjurmë në opinionin sportiv francez, pasi në më parë Franca ishte eliminuar që në fazën e grupeve në Botërorin e 2010-ës. / Vipsport.al/F.R