Prapaskenat e një ftese, Loret Sadiku u bë shqiptar vetëm muajin e fundit

Loret Sadiku është një nga risitë e Kristian Panuçit për grumbullimin e muajit nëntor me përfaqësuesen shqiptare. Megjithatë, mbrojtësi i cili luan edhe si mesfushor, as nuk kishte ndër mend të vinte te Shqipëria deri dy muaj më parë, kur ankohej në mediat suedeze apo turke se Shqipëria po e pengonte të vazhdonte karrierën e tij ndërkombëtare.

Futbollisti u ftua nga De Biazi në vitin 2015 dhe ishte pjesë e grumbullimeve me përfaqësuesen shqiptare pasi i dha lamtumirën Suedisë, me të cilën kishte luajtur deri me ekipin U21. Por ai vendosi t’i bashkohej Kosovës dhe të bëhej pjesë e projektit të Albert Bunjakut, duke luajtur rregullisht në ndeshjet para njohjes si anëtare me të drejta të plota e UEFA-s dhe FIFA.

Vendimi nuk kënaqi aspak FSHF-në, e cila bllokoi në çdo mënyrë kalimin e futbollistit te Kosova. FIFA nuk i dha më pas lejekalimin lojtarit, edhe pse më parë kishte pranuar të bënte ndryshime për lojtarë të tjerë që kishin kaluar në dy përfaqësuese, si Herolind Shala.  FFK hoqi dorë nga ai pas thuajse dy vitesh përpjekje dhe në shtator, Sadiku kontaktoi me përfaqësuesen suedeze, për të luajtur përsëri me të.

Por edhe kjo e fundit mori përgjigje negative nga FIFA dhe për lojtarin nuk kishte mbetur më asnjë shpresë tjetër. Pasi u kuptua se nuk mund të luante me askënd tjetër përveç Shqipërisë, futbollisti nëpërmjet menaxherit të tij kontaktoi në tetor FSHF-në dhe shprehu gatishmërinë për të veshur përsëri ngjyrat kuqezi.

Panuçi dha menjëherë pëlqimin e tij dhe kësisoj, lojtari që luan me Kasimpasha në kampionatin turk, do të bëhet pjesë e përfaqësueses shqiptare për ndeshjet e nëntorit. Një kthesë të papritur që do të kishte qenë e pamendueshme deri dy muaj më parë, kur palët “urreheshin” edhe publikisht. /vipsport.al./

more recommended stories