Përforcime dhe stërvitje në natyrë, Gjoka e nis ndryshe te Kamza

Kamza nuk po kalon një moment të mirë në kampionat dhe kjo shihet nga rezultatet e fundit dhe renditja, madje edhe nga ndërrimi i trajnerëve, pasi vetëm këtë sezon, Ernest Gjoka është trajneri i tretë që po provon një aventurë te Kamza.

Ky i fundit, duket se ka gjetur një mënyrë ndryshe për të larguar presionin nga skuadra. Ai ka menduar që të udhëtojë drejt Tiranës ditën e sotme, ku stërvitjen e ka kryer në kodrat e Liqenit Artificial. Me stafin teknik, është bashkuar edhe përgatitësi fizik, Vullnet Manushi.

“Stërvitja e ditës së diel është zhvilluar në Kodrat e Liqenit. Në drejtimin e stafit me në krye trajnerin Ernest Gjoka, zëvendës trajnerin Fatjon Tafaj, trajnerit te portierëve Blendi Vashaku, sot është bashkuar edhe përgatitësi Fizik, Vullnet Manushi.”, shkruhej në njoftimin e klubit. /Erjon Allaraj-VipSport.al/