Përdornin një kompani shqiptare, ja si mafia italiane pastronte milionat e basteve

Në të gjithë Europën ka bërë bujë hetimi i kryer në Itali ku janë lëshuar 68 urdhër-arresti dhe janë konfiskuar pasuri për rreth 1 miliard euro të personave që merreshin me baste ilegale online. Rrjeti shtrihej në vende të ndryshme të Europës, por edhe në parajsat fiskale, apo edhe në vendin tonë, në Shqipëri, ku kryhej procesi i pastrimit të parave.

Sipas akteve të hetimit, zbulohet se mafia kataneze, përdorte vendin tonë si rrugë të ndërmjetme për pastrimin e parave të siguruar nga këto kompani online në territorin italian e jo vetëm. Karmelo, Xhuzepe dhe Vinçenco Piaçenti, ekspertët e klanit Santapaola të cilët merreshin me aktivitetet online  menaxhonin paratë që qarkullonin nëpërmjet kompanive të basteve të paligjshme.

Policia sqaron se nëpërmjet faqeve që garantonin anonimitetin e atyre që depozitonin para, shuma të mëdha, miliona euro, dërgoheshin në një bankë në Guraçao, një shtet në Karaibe që njihet si një prej parajsave fiskale. Atje kalonte në emër të “Resolution Holding N.V. Curacao Company”, por qëndronte shumë pak, aq sa nevojitej që procedurat bankare ta kalonin te “Remote Betting” me qendër në Shqipëri, kompani e ngritur në bashkëpunim me një biznesmen nga Katania. Paratë kalonin më pas nga Shqipëria në Itali falë edhe faturave false të lëshuara nga aktivitete të cilat menaxhoheshin nga ndonjë prej anëtarëve të familjes Piaçenti.

Hetimet vazhdojnë ende, por në Itali kanë bërë të ditur se janë ngrirë me qindra llogari bankare të cilat përdoreshin për një trafik të jashtëzakonshëm parash, me shuma që përllogariten deri në 4,5 miliard euro. /vipsport.al/