Patushi: Tirana as nuk rivalizon e jo të fitojë derbi, as Murinjo e Guardiola nuk kanë ndikim

Saimir Patushi, ish-futbollist i Tiranës dhe tashmë trajner futbolli e ka komentuar gjendjen e Tiranës si një tragjedi nga vetë fakti që po lufton për mbijetesë. I ftuar në emisionin “Fair Play”, ai u shpreh se Tiranën nuk e shpëton shpejt as Murinjo e Guardiola.

“Asnjë ekip nuk është më mirë se Skënderbeu. Për 10 vjet, është ajka e futbollit dhe nga këto që kemi parë, Skënderbeu është i dobët me ekipet e dobëta dhe i fortë me ekipet e forta. Për Skënderbeun mund të them se është shembull. Nuk është ekip i ri përderisa ekipi është i vendosur mirë dhe ka një trajner të mirë që bën vendosje dhe ju merr më të mirën të gjithëve. Edhe ato që përshtaten mund të jenë pretendentë. Skënderbeu dhe Partizani janë pretendentët e vetëm dhe deri tani janë të vetmet ekipe që bëjnë futboll të bukur.

Nuk besoj se Tirana është e momentit pasi ka 4-5 vjet që vuan dhe vuan çdo fillim sezoni dhe po të dëgjosh, fjalët janë “do dalim kampion, jemi për Europë” dhe më pas, javë pas jave ka ndryshim trajnerësh e stafi, përveç se presidenti që nuk ndryshon. Mesa kam parë këtë sezon, që në fillim Tirana me 80% të ekipit që ra nga Kategoria, do të ishte në mes të tabelës dhe jo se do të konkurronte me Krujën, Kamzën apo Luftëtarin.

Lojtarët e Tiranës, e dhanë provën se janë për mbijetesë dhe afrimet e reja lënë për të dëshiruar. Janë lojtarë mesatarë dhe nuk mund të bëjnë diferencën te Tirana. Keqmenaxhimi i presidentit apo stafit ndikon. Nuk mendojs se Mema do të kishte shkop magjik dhe të merrte 12 pikë, pasi as Murinjo dhe Guardiola nuk mund të shpëtojnë Tiranën kaq shpejt.

Kur je 0-1 ndaj Luftëtarit dhe përmbysësh nuk ndodh shpesh. Me një kundërshtar që lufton për mbijetesë dhe të menaxhosh një Luftëtar për 45 minuta. Duhet përgëzuar Luftëtari ndërsa Tirana, është një hallkë shumë e madhe.

Mema? Nuk është zgjidhje që largohet ky e vjen ai dhe isha i vetëdijshëm se kur e mori Ardiani, e ka ditur se çfarëdo të gjente. Ai nuk e ka marrë ekipin me idenë se do ta shohë se çfarë ka. Problemet e Tiranës diheshin, me afrimin e Ze Marias, kapitenit në stol e këto. Nuk besoj se Mema jep dorëheqjen se nuk dinte problematikat pasi Tirana rënkon.

Ka 14 derbi, që Tirana me Partizanin që nuk rivalizon dot, e jo më të fitojë. Nuk është mësuar Tirana që të jetë e dyta dhe të mbyllë emisionet sportive me Krujën e Kamzën. Këta njerëz ose mendojnë se ne jemi qorra dhe ato shohin më mirë, ose një president ekipi nuk ka mundësi që të mos organizojnë një Tiranë që e kanë të gjithë ëndërr të veshin fanellën. Ne nuk dimë kush janë 11. Nga java në javë shohim detyra të reja dhe nuk imë se çfarë bëhet. Si mund të mos jetë e rrezikuar Tirana për rënie nga Kategoria kur nuk mund dot Luftëtarin?”, u shpreh Patushi. /Erjon Allaraj-VipSport.al/