Pa shumë bujë por me rekord, tashmë Vinisius bëhet si… Kasijas

Merkatoja e verës nuk ishte shumë aktive në hyrje për Real Madridin, duke qenë se spanjollët u përqendruan më shumë në afrimin e të rinjve sesa në afrimin e lojtarëve me emër, me përjashtim të portierit Kortua. Megjithatë, afrimet e bujshme nuk munguan dhe i riu Vinisius Zhunior shihej si Nejmari i ardhshëm.

Pavarësisht kësaj, ai ende nuk ka arritur të jap asgjë me fanellën e Realit, duke qenë një lojtar stoli, apo edhe lojtar i ekipit të dytë, sidomos nën drejtimin e Lopeteguit. Me ardhjen e Solarit në krye të Realit, gjërat duket se kanë ndryshuar për talentin 18-vjeçar që po gjen më shumë minuta.

Në takimin e fundit në Ligën e Kampionëve, ndaj Viktoria Plzen, ai u aktivizua në pjesën e dytë duke kapur në këtë mënyrë një rekord, si një nga futbollistët më të rinj që ka debutuar në Champions me fanellën e Realit. Ashtu si portieri legjendar Iker Kasijas, Vinisius renditet në vendin e tretë për moshën më të re, duke qenë se është 18 vjeç e 118 ditë. Vendin e parë në listë, e zë Joze Rodrigez i cili debutonte 17-vjeç e 354 ditë, ndërkohë që Reaul është në vendin e dytë, 18 vjeç e 78 ditë. /Erjon Allaraj-VipSport.al/