Ozil rrëfen largimin nga Reali: Ronaldo u tërbua, por trajneri dhe klubi nuk më donin

Lojtarët e klasit kanë gjithmonë kushtet e tyre, në të mirë dhe në të keq. Nuk e kanë shumë problem ta shprehin hapur zemërimin, kur ka diçka që nuk shkon ashtu siç duan ata. Shumë mendojnë se Benzema ishte shoku ideal i sulmit për CR7 te Reali i Madridit, por vetë portugezi ka pasur një tjetër lojtar, që e donte me çdo kusht në ekip, Mesut Ozilin.

Trekuartisti me origjinë turke ka folur për “Mirror”, ku ka treguar edhe momentin e largimit nga Reali dhe zemërimin e Ronaldos: “Shitja e Ozilit është një lajm i keq për mua, ishte lojtari që i njihte më  mirë lëvizjet e mia. Jam i tërbuar për shitjen e tij”, – kishte thënë Ronaldo, sipas Ozilit. Ardhja e Modriçit në 2012-ën dhe më pas ajo e Bejlit në 2013-ën bënë që të minimizoheshin hapësirat për gjermanin.

Mesut Ozil ka zbuluar edhe arsyen kryesore pse u largua nga Reali: “Isha i sigurt se do të qëndroja, por pastaj kuptova se nuk kisha besimin e trajnerit Karlo Ançeloti dhe të klubit”. Largimi i tij ishte i pashmangshëm dhe në atë kohë përfitoi menjëherë Arsenali, që e afroi në ekip fantazistin gjerman. / Vipsport.al/F.R