Oferta nga Kukësi e Flamurtari, sulmuesi i Shpresave debuton pas dëmtimit

Redon Mihana, sulmuesi 19-vjeçar i skuadrës së Apolonisë dhe përfaqësueses sonë Shpresa ka lënë pas dëmtimin dhe sot është aktivizuar në miqësoren me Flamurtarin. Mihana ka luajtur 25 minuta, ndërsa sulmuesi do të jetë gati për ndeshjen e radhës me Besën në “Loni Papuçiu”. Në një intervistë enkas për “Vipsport.al”, shtatlarti që konsiderohet si një nga lojtarët më premtues, ka treguar edhe ofertat nga Kukësi e Flamurtari…

-Mihana e keni lënë pas dëmtimin dhe tashmë jeni gati…

Po është e vërtetë, ka qenë një periudhë shumë e vështirë për mua. Dëmtimi i parë serioz në karrierë. Por, u jam mirënjohës klubit, shokëve dhe stafit drejtues që më kanë mbështetur shumë. Tashmë nuk më mbetet gjë tjetër veçëse të bëj më të mirën.

-Ishit në kulmin e formës suaj, sezonin e shkuar e mbyllët me 9 gola të shënuar dhe një vend në Shpresa U-21?

Isha në një forme mjaft të mirë, madje edhe në verë jam stërvitur fort sepse Apolonia u ndërtua për të qenë pretendente, pa thënë se stafi dhe klubi më dhanë shumë prioritet, sepse në pjesën e parë të sezonit të shkuar ka qenë në ekip një sulmues cilësor si: Krasniqi dhe jam aktivizuar pak. Natyrisht që një kënaqësi shumë të madhe më dha edhe grumbullimi në Shpresa. Madje, po e deklaroj publikisht se kam pasur edhe dy oferta serioze nga Flmaaurtari e Kukësi… Megjithatë, besoj se do të kem fat tani e tutje.

-Apolonia për hir të së vërtetës ka vuajtur për golat e Mihanës…

Nuk mendoj kështu, Apolonia mbi të gjitha është një emër i madh në futbollin shqiptar, është një shkollë futbolli që ndër vite ka nxjerrë portierë, mbrojtës, mesfushorë e sulmues. Në ekip nuk është Mihana, por ka lojtarë shumë cilësorë dhe të rinj të talentuar. Ndoshta është një ngërç, pastaj edhe fati i keq e ka ndjekur shumë. I kam parë ndeshjet që kemi luajtur dhe ndoshta disa faktorë përfitojnë nga fakti se në luajmë futboll dhe jemi “Fair-Play”, jashtë por edhe në Fier. Me shumë rivalët tanë nuk ndodh kjo.

-Cilat janë synimet tuaja?

Të bëhem edhe më mirë, të luaj sa më shumë dhe të shënoj, në mënyrë që Apolonia të shkojë aty ku e ka vendin në Superiore. Më bëhet qejfi që dy kolegë të mi shkuan te Shpresat si: Harizaj e Sota, madje, jam i bindur që së shpejti do rikthehem te kuqezinjtë.

Intervistoi: E. Saliu/Vipsport.al/