Nuk ka fitues në Vlorë, Flamurtari dhe Luftëtari ndajnë pikët

Flamurtari dhe Luftëtari kanë ndarë pikët në barazimin pa gola të regjistruar sot në Vlorë. Në një ndeshje pa shumë ritëm, skuadrat kanë qenë më shumë të kujdesshme për të mos pësuar sesa për ët kërkuar fitoren.

Në fund, gjirokastritët kanë qenë ata që kanë dalë më të lumtur nga kjo sfidë, pasi kanë marrë pikë në një fushë të vështirë dhe shohin paksa më të qetë drejt të ardhmes pasi sigurojnë një rezultat që i nxjerr nga kriza  e pikëve dhe i largon paksa nga vendet e fundit.

Kurse Flamurtari mbetet ende larg pritshmërisë, si për lojë, ashtu edhe rezultate, pasi nuk arrin të bindë ende se është një pretendent për zonat e larta të klasifikimit.

MINUTË PAS MINUTE

90’+3’ Mbyllet pa gola ndeshja.

90′ Jepen 3 minuta shtesë.

87’ Gabon Veliu në daljen e tij, i jep mundësinë Luftëtarit të rrezikojë pasi Milosavljev i kalon topin Shkurtajt. Gjuajtja e këtij të fundit bllokohet nga Alla.

86’ Pas një goditje nga këndi, Ruçi nuk kontrollon dhe sfera përfundon te Siljanovski i cili gjuan në pozicion ballor. Gjuajtja e tij kalon mbi traversë.

81’ Qarkullim i pandërprerë i topit paranë zonës së Luftëtarit, por vlonjatët nuk kanë forcë dhe as ide se si të gjuajnë në katërkëndorin e Ruçit.

76’ Aksion i mirë në krahun e djathtë për Flamurtarin. Siljanovski hyn në zonë dhe mundohet të pasojë në qendër, por sfera largohet nga ndërhyrja e mbrojtjes gjirokastrite.

74’ Dy ndryshime të njëpasnjëshme në radhët e skuadrave. Ymeraj hyn në fushë në vend të Radoviç, ndërsa Ribaj i merr vendin në fushë Bathës.

66’ I sapofuturi në lojë shpërthen në krahun e djathtë, dhe mundohet të hedhë topin në qendër, sfera devijohet në goditje këndi. Në zhvillimin e saj, topi harkohet në zonë te Bushiç në shtyllën e dytë, por ai nuk gjen portën me gjuajtjen me kokë.

63’ Kotobelli i lë vendin Hysenit në fushë, ndryshon rreshtimi vlonjateve me Torasën që zhvendoset majtas.

60’ Flamurtari qarkullon topin më mirë, por nuk arrin të dalë para portës së Ruçit.

55’ Kotobelli shfaqet në krahun e majtë  dhe gjuan me forcë drejt portës, sfera del jashtë kuadratit të gjirokastriteve. Asnjë probleme për Ruçin.

47’ Torasa i jep një pasim të shkëlqyer Bushiç i cili del në të djathtën i vetëm para portës dhe gjuan me shpejtësi. Goditja është qendrore dhe nuk shqetëson Ruçin.

46′ Fillon pjesa e dytë e ndeshjes, trajnerët vendosin të mos bëjnë ndryshime në rreshtim.

45’ Mbyllet pa gola pjesa e parë.

43’ Goditje nga këndi për Luftëtarin, topi harkohet në zonë por Bushicc i kthyer në ndihmë të mbrojtjes largon sferën.

41’ Goditje dënimi ballore e Flamurtarit, gjuan Veliu me topin që përplaset në tokë dhe më pas bllokohet në dy kohë nga Ruçi.

35’ Përsëri një aksion me Mustën si protagonist në ndihmë të sulmit. Këtë herë ai shfaqet para portës por sinjalizohet për pozicion jashtë loje.

33’ Kombinim i shkëlqyer i Torasës me Mustën që niset në zonë, vendimtare ndërhyrja e Liçajt i cili devijon sferën në goditje nga këndi.

25’ Goditje dënimi nga e majta për Luftëtarin, topi harkohet në zonë ku Janiçiç devijon me kokë por jo sa për të kthyer sferën drejt rrjetës.

21’ Flamurtari qarkullon më shumë topin, por nuk arrin të krijojë mundësi për të gjuajtur në portë. E vetmja në këto minuta është ajo e Siljanovskit nga jashtë zonës, por sfera kalon jashtë katërkëndorit.

17’ Tjetër goditje nga larg e Shkurtajt, Koliçi këtë herë mbërthen topin në pozicion ballor.

16’ Shkurtaj  bën një goditje spektakolare nga jashtë zonës, Koliçi fluturon dhe kalon topin në goditje nga këndi.

12’ Kundërzbritje e shpejtë e skuadrës së Luftëtarit, topi mbërrin te Shkurtaj i cili shfaqet i vetëm para portës, por dërgon sferën shuam lart mbi traversë.

8’ Pas zhvillimit të një goditje dënimi. Topi shkon te Batha, gjuajtja e të cilit devijohet nga Alla. Më pas Mustafa gjuan por sfera ndalet me dorë nga Milosavljev. Protesta të vlonjateve, por  gjyqtari sinjalizon që loja të vazhdojë.

6’ Merr kontrollin e ndeshjes Flamurtari, por nuk arrin të gjejë hapësira për të çarë mbrojtjen kundërshtare dhe për të gjuajtur drejt portës.

2’ Pasim i gabuar në prapavijën e vlonjateve, topi shkon te Milosavljev i cili gjuan nga jashtë zonës, por shuam lehtë dhe Koliçi pret në pozicion.

1’ Fillon ndeshja me shkelmimin nga qendra të gjirokastritëve.

Flamurtari-Luftëtari 0-0

Flamurtari: Koliçi, Siljanovski, Alla, Veliu, Kotobelli (64′ Hyseni), Useini, Mustafa, Torasa, Batha (74′ Ribaj), Musta, Bushiç. Trajner: I.Daja.

Luftëtari: Ruçi, Liçaj, Hoxha, Janiçiç, Rapo, Ramadani, Rapa, Roca, Radoslavljev, Radoviç (71′ Ymeraj), Shkurtaj. Trajner: G.Mezani.

KV: Rapo

Gjyqtar: O. Ferhataj