Ndjesa publike e Mavrajt: Më kritikoni, por mos vini në diskutim respektin për ngjyrat kuqezi

Kapiteni Mërgim Mavraj ishte protagonisti negativ i humbjes së thellë me Skocinë në Shkodër, pasi la skuadrën me 10 vetë pas 20 minutash, kur rezultati ishte 0-1. Sjellja e tij ishte e pafalshme, aq më tepër që mban edhe shiritin e kapitenit në krah.

Mbrojtësi i Arisit ishte mjaft nervoz edhe pas ndeshjes, ku debatoi me ata që po e kritikonin në studiot televizive, ndërsa sot, natyrisht më i qetë, ai ka bërë një postim, që është një ndjesë publike me një mesazh për tifozët. Mavraj pranon kritikat, por jo ato që vënë në diskutim respektin për ngjyrat kuqezi të Kombëtares.

Ja çfarë shkruan Mavraj në faqen e tij:

E ndjej të kërkoj publikisht falje për atë moment dobësie. Të gjithë gabojmë dhe këtë herë më ndodhi mua. Për Kombëtaren kam luajtur dhe i dëmtuar madje në situata edhe shumë më të vështira, ndaj ajo që kërkoj është të më kritikoni, sigurisht, por jo të vini në diskutim respektin dhe dashurinë për këtë fanellë e këto ngjyra.

Shohim përpara, me bindje se Shqipëria do të kthejë kapitull. Të gjithë bashkë mund t’ia dalim përsëri, por nëse jemi të ndarë atëherë mund të na mposhtë kushdo.

Me respekt, Mërgim Mavraj