Miho: Apoloninë e frenuan dëmtimet, merkato e janarit na jep tjetër fytyrë

Një Apoloni si kjo e këtij sezoni kishim vite pa e parë në fushën e lojës. Shumë elementë të rinj dhe për më tepër “puro” fierake, me 90% vendas, pjesa dërrmuese lojtarë të akademisë. Pa harruar që në stol ka një ish-lojtar që ka qenë pjesë e Apolonisë së Superiores një dekadë më parë, Marjol Mihon.

Fierakët e nisën sezonin si pretendentë, por si për fat të keq, dëmtimet e tre lojtarëve titullarë dhe me eksperiencë, natyrisht që prishën jo pak punë në Fier. Marjol Miho, trajneri i skuadrës së Apolonisë, në një prononcim enkas për “Vipsport.al”, ka pohuar: “Me skuadrën jam i kënaqur  në aspektin e filozofisë së lojes që unë dua. Por, nuk është se jam shumë i kënaqur me rezultatet, sepse duhet që të kishim më shumë pikë pa diskutim”.

Dëmtimet

Por, në futboll është edhe çështje fati, sidomos kur ke të bësh me dëmtime. Kështu na ndodhi edhe neve pa filluar mirë gara. Imagjinoni, kemi punuar dy muaj e diçka më tepër, por sapo nisi gara na janë dëmtuar tre lojtarë. E nisim garën pa Mihanën, A. Priftin e Dudën që kanë ndikimin e tyre në ecuri”.

Prag-Egnatia

Lidhur me ndeshjen e radhës me Egnatian që luhet në Fier, ditën e dielë në orën 14:00, trajneri Miho ka shtuar: “Ndeshja e radhës është vlerësuar shumë nga ana jonë. E respektoj shumë Egnatian, por është momenti që ne të fitojmë me lojë por edhe rezultate. Aq më tepër që luajmë në fushën tonë, para tifozëve tanë që po rikthehen”.

Merkato

Në fund, trajneri Miho tha se për një Apoloni më të fortë në pjesën e dytë të garës, natyrisht që duhen edhe përforcime. Por, sipas Mihos në Fier do të ketë vend për ata lojtarë që bëjnë diferencën. “Besoj shumë tek këta lojtar që kam, janë të rinj, por të talentuar që duan kohën e vetë të përshtaten, sepse Kategoria e Parë dhe aq më tepër Grupi i Jugut kanë nevojë për më shumë eksperiencë. Imagjinoni, në grupin tonë janë tetë ekipe që kanë qenë pjesë e madje me shumë traditë në Superiore. Por, në merkaton e janarit, i kemi të qarta idetë dhe goditjet që do të bëjmë nëpër reparte. Madje, i kemi evidentuar edhe lojtarët. Jam i bindur që do të na bashkohen për një Apolonië më të fortë në pjesën e dytë të garës”.

E.Saliu/Vipsport.al/

more recommended stories