Mesfushori i Sasuolos, Kolaj: Dua të ndjek Canën dhe i jap sinjale Bushit me gola, kam interesim nga Italia

Një nga të rinjtë shqiptarë më të spikatur në kampionatin italian, është mesfushori i Primavera Sausuolo, Aristidi Kolaj i cili vazhdon të shënojë në kampionatin e të rinjve. Edhe në takimin e fundit, ai arriti të gjente rrugën e rrjetës përballë Kaljarit në barazimin 2-2.

Në një intervistë për “VipSport.al”, ai u shpreh se golat e tij, janë një sinjal për trajnerin e Shpresave, Alban Bushi, ndërkohë që tregohet dhe idhullin e tij, si në Shqipëri, ashtu edhe jashtë.

Sërish gol në kampionat me Sasuolon. A ishte ky gol një sinjal për trajnerin e Shpresave, Alban Bushi?
Është sinjal dhe kënaqësi për mua kur shënoj gol dhe shpresoj që kjo gjë të arrijë edhe te profesor Bushi.

Po merrni vlerësime maksimale nga mediat italiane, por mungon ftesa nga ekipi i parë. Kur do të të shohim te Sasuolo A?
Unë po stërvitem dhe po mundohem të jap maksimumin  për skuadrën ku luaj. Ëndrra ime është të arrij të luaj te skuadra e parë. Më është dhënë mundësia që të stërvitem me skuadrën e parë me teknikun De Zerbi.

A keni pasur kontakte nga Federata italiane?
Po, më kanë thënë në klub që ka pasur interesim nga Federata, por unë shpresoj që një ditë do të arrij të luaj për Shqipërinë time.

Si ndihesh kur luan ndaj shqiptarëve të tjerë në Itali?
Është realisht një ndjesi shumë e veçantë kur luaj me shqiptarë. Ndjej kënaqësi dhe krenari kur takohem në fushë me bashkatdhetarët e mi.

Cili është futbollisti shqiptar që e keni si shembull për të ndjekur?
Futbollistët shqiptarë që më pëlqejnë janë të shumtë, por shembulli që unë dua të ndjek, mbetet ish-kapiteni i Kombëtares, Lorik Cana.

Po futbollisti i huaj që është idhull për ju dhe klubi ku do që të luash?
Futbollisti i huaj të cilin e kam idhull, është Kristiano Ronaldo. Do të doja shumë që një ditë, të luaja me fanellën e Juventusit. Është ëndrra ime. /Erjon Allaraj-VipSport.al/

more recommended stories