Mesfushori i Argjentinës si Nejmari, tifozët: E papranueshme që mori karton të kuq

Në takimin mes Zenitit dhe Akhmat Groznit, mesfushori Leandro Paredes u ndëshkua me karton të kuq duke qenë se mori të dytën e verdhë në minutën e 83, pas një ndërhyrjeje ndaj mesfushorit të Akhmatit, Ravanelit.

Kjo ka mjaftuar që tifozët e Zenitit të irritohen me futbollistin e tyre dhe jo për shkak të kartonit të kuq, por për shkak të arsyes që u ndëshkua. Sipas tyre, Paredes mori kartonin e dytë të verdhë, në mënyrë që të mos jetë i gatshëm ndeshjen e radhës dhe të përfitojë nga mungesa për të shkuar në Argjentinë, ku do të ketë mundësi të ndjekë finalen e Kupës Libertadores mes Boka Zhuniorsit dhe River Plejtit.

Vetë trajneri i Zenitit, Sergei Semak është shprehur se i ka dhënë leje ish-mesfushorit të Romës që të udhëtojë drejt Argjentinës, por mesa duket ky largim nuk i ka pëlqyer aspak tifozëve, të cilët janë të bindur se ekipi i tyre duhet të jetë i pari për nga rëndësia dhe e konsiderojnë sjelljen e futbollistit si të papranueshme.

Kujtojmë, se vetëm pak kohë më parë ishte Nejmari ai i cili u ndëshkua me karton të kuq në mënyrë që të shkonte në Brazil për të festuar ditëlindjen e motrës së tij. /Erjon Allaraj-VipSport.al/