Memelli: U kërkova djemve ta vrisnim ndeshjen, e kishim studiuar Skënderbeun

Në dy ndeshje ka marrë 6 pikë në stolin e Laçit. Nuk do të kishte një debutim më të mirë se ky për Migen Memellin, i cili pas suksesit ndaj Skënderbeut është shprehur:

“Kemi parë pikat determinante të Skënderbeut, ku ka pikat e forta kjo skuadër. Në 20 minutat e para kemi pasur agresivitet ndaj kundërshtarit. Nuk donim ta linim Skënderbeun të na rrezikonte. Pastaj deshëm ta tërheqim pak skuadrën dhe të krijojmë situata prapa shpine.

Kishim një ndërrim të detyruar. Mbrojtësit anësorë të Skënderbeut shtyjnë lart dhe djemve u kërkova që ta vrisnim ndeshjen. Në Gjirokastër ishim në tension deri në fund, kurse sot bëmë detyrën më mirë dhe e merituam fitoren.

Pretendoj, si Migen, që lojtarët të jenë të përqendruar totalisht, sepse në momentin e parë që nuk e bëjnë këtë, kemi probleme. Ka probleme ekipi, ne si staf, por dua t’i përgëzoj futbollistët për lojën që zhvilluan. Kemi pak problem në sulm. Shtubina është në momentin më të mirë dhe më pëlqen që golat t’i ndajmë si skuadër. Te ne Shtubina është lojtari i momentit.

Do të më pëlqente që lojtarët e tjerë të sulmit të shënojnë, sepse Shtubina do të ketë ndeshje që do të jetë i markuar mirë. Nuk duhet të bazohemi te një lojtar, sepse është koncept i gabuar për mua”. / Vipsport.al

more recommended stories