Kombëtarja i bën nder Kukësit, rikthime të rëndësishme pas pushimeve

Kukësi po vuan shumë nga mungesat këtë sezon dhe përveç dëmtimit të Musollit që tashmë dihet, edhe Simo Rrumbullaku është një tjetër mungesë e rëndësishme ku pas rikthimit në fushë ndaj Kastriotit, ai pësoi një tjetër lëndim dhe i duhej të qëndronte edhe disa javë larg fushave të blerta.

Megjithatë, nga infermieria e Kukësit ka lajme të mira në lidhje me gjendjen e dy futbollistëve, duke qenë se të dy janë në fazën e rikuperimit dhe rikthimi i Rrumbullakut në fushë, duket se është i afërt. Ai pritet të jetë i gatshëm për teknikun Cungu pas 2 javësh duke qenë se ka nisur fazën e rikuperimit dhe është rikthyer në Tiranë pas ekzaminimeve dhe mjekimeve të para që ka marrë në Athinë.

Sakaq, edhe gjendja e Besar Musollit paraqitet e mirë dhe mesfushori ka nisur të stërvitet normalisht në palestër, për të qenë sa më shpejtë në fushat e blerta, pas atij dëmtimi të rëndë që pësoi në takimin ndaj Teutës dhe që do e mbajë edhe për disa muaj të tjerë larg. Me pushimin e kampionatit për shkak të Kombëtares, që luan dy ndeshje në datën 17 dhe 20 nëntor, Kukësit i rikthehen në kampionat Rrumbullaku, ndërkohë që edhe të tjerët që kanë pësuar dëmtime në javët e fundit si Shkodra apo Shameti, do të jenë në gjendje optimale. /Erjon Allaraj-VipSport.al/

more recommended stories