Kastrioti vazhdon të fitojë, Nica për VipSport: Një test shumë pozitiv për ne

Kastrioti duket një ekip shumë më i konsoliduar dhe me besim në vetvete pas ardhjes në pankinë të trajnerit Stavri Nica. Pas fitores 3-0 në kampionat kundër Kamzës, Kastrioti ka fituar edhe në miqësore.

Krutanët kanë mposhtur në miqësore skuadrën e Ilirisë, me rezultatin minimal 1-0. Golin e vetëm për djemtë e Nicës e shënoi Vatnikaj në minutën e 83’ të sfidës.

Pas kësaj ndeshje miqësore, trajneri Nica foli për VipSport, ku pranoi se kjo sfidë ishte një test shumë i mirë për skuadrën e tij dhe se ishte i kënaqur me paraqitjen e të tijve.

“Më pëlqen mënyra se si ekipi po disiplinohet dhe po zbaton detyrat taktike. Kjo na fut në profesionalizëm dhe mendoj se kur punon kështu vijnë edhe rezultatet. Tashmë na duhet vazhdimësi dhe konfirmim. Pas fitores me Kamzën, ne duhen që të kemi vazhdimësi. Testin e zhvillova për të mbajtur skuadrën në tonus, por edhe për t’i dhënë tërë lojtarëve mundësi aktivizimi”.

Veronik Istrefaj – vipsport.al/