Josa për Tiranën: Nuk kanë faj trajnerët, çfarë qëllimesh kanë njerëzit që e drejtojnë atë?

Ndeshjen Kukësi-Teuta e ka ndjekur nga tribuna VIP edhe trajneri Mirel Josa, i cili aktualisht drejton Prishtinën në Kosovë. Në një prononcim për gazetarët, ai ka folur për kampionatin shqiptar dhe veçanërisht për krizën e Tiranës, duke theksuar se nuk kanë faj trajnerët për këtë gjendje të saj:

“Po, e ndjek kampionatin shqiptar dhe mendoj se niveli i skuadrave është ai që tregon klasifikimi. Kampionati është i luftuar dhe diferencat dallohen vetëm në momente të caktuara. Barazimi mes Kukësit dhe Teutës duhet marrë pozitivisht nga të dy ekipet. Janë disa skuadra, si Kukësi, Laçi, Partizani dhe Teuta që nuk po luajnë në fushën e tyre dhe ky është problem.

Eksperienca ime e fundit te Tirana është një ndër dështimet e karrierës sime. Karakteri im nuk më lejoi të veproja në momente të caktuara siç e mendoja, por le t’ia lemë kohës të tregojë çfarë ka ndodhur te Tirana, kush e ka fajin. Tirana është skuadër emblemë në Shqipëri dhe drejtuesit e saj duhet të dinë të menaxhojnë situatat. Nuk kanë faj trajnerët. Nuk mendoj se Mema gaboi që mori përsipër detyrën e trajnerit të Tiranës.

Po qëllimet e njerëzve që drejtojnë Tiranën cilat janë? Duhen zbardhur mirë qëllimet, që klubi të ketë një ecuri sa më të mirë. Njerëzit që drejtojnë klubet nuk duhet të mendojnë për përfitimet individuale, por për të ngritur lart emrin e Tiranës”, – ka theksuar mes të tjerash Josa. / Vipsport.al