Ismajli: Shqipëria është zgjedhja e duhur, ja si më bindi Panuçi me një telefonatë!

Ardjan Ismajli tashmë pret që të debutojë dhe të japë më të mirën për përfaqësuesen e Shqipërisë. Ismajli ishte një nga të veçantat e listës që ka “zbardhur” trajneri Panuçi, ndërsa, nuk ngurron që t’i bëjë elozhe zgjedhjes së tij të re në një prononcim që ka dhënë për mediat kroate pas grumbullimit me Shqipërinë.

“Ne jemi një komb, shpresoj që së shpejti të bashkohemi në një shtet, por kemi ekipe të ndryshme. Shqipëria është më e mirë dhe më ofron mua më shumë mundësi për t’u promovuar. Veç të tjerave, unë kam luajtur për Kosovën U-21… Ky ishte motivi kryesor për vendimin e marrë, që kishte edhe mbështetjen e prindërve të mi. Disa gazetarë dhe tifozë më kritikojnë mua, duke pretenduar se nuk do të ketë vend për mua te kombëtarja shqiptare për shkak se nuk kam luajtur shumë te Hajduku. Por unë jam i bindur dhe i sigurt për vendimin që kam marrë. Unë jam gati që të luaj që kundër Skocisë në Nations League”.

Ismajli, ndër të tjera tregon edhe telefonatën bindëse që ka pasur me trajnerin e skuadrës kuqezi, italianin Kristian Panuçi, por njëkohësisht nuk e fsheh edhe mërzinë nga ai largim i menjëhershëm nga U-21 i Kosovës: “Menjëherë pas telefonatës së Panuçit vendosa të luaj për Shqipërinë në të ardhmen, por nuk doja të lija shokët te Kosova U-21 deri në përfundim të kualifikueseve. Isha kapiteni dhe lojtari më i mirë, ndaj nuk do të kishte qenë vendim i mirë t’i lija ata në baltë”,-tha në mbyllje të prononcimit, Ismajli.

E.S./Vipsport.al/

more recommended stories