Ismajli: E kam pritur debutimin, kualifikohemi sërish si në Francë

Ardian Ismajli arriti të debutonte që në ndeshjen e parë me fanellën kuqezi, duke luajtur për më shumë se 70 minuta në humbjen e thellë që kuqezinjtë pësuan 0-4 ndaj Skocisë. Vetëm pak ditë pasi u largua nga Kosova, Smajli gjeti debutimin me fanellën kuqezi dhe këtë gjë, Ismajli shprehet se e ka pritur.

Në konferencën e sotme, në kuadër të takimit ndaj Uellsit, mbrojtësi u shpreh se në Kombëtare e kanë pritur shumë mirë dhe se ka besim se skuadra mund të kualifikohet si në Francë.

“Nuk e kisha menduar këtë situatë, por fati donte që Mërgimi të merrte atë karton dhe të futesha unë. Futbolli i ka këto dhe ne tani duhet ta mbajmë kokën dhe të shohim para. Ishte koha ime të ndihmoja skuadrën. Emocionet kanë qenë të mëdha, por në moment që u futa ishin edhe më të mëdha. E kam pritur këtë debutim, pavarësisht humbjes.”

“Më kanë pritur shumë mirë, ambienti është i mirë. Kam marrëdhënie të mira dhe më kanë afruar. Çdo gjë është në rregull. Çdo ekip kombëtar ka krizë, besoj se do e kalojmë shumë shpejt këtë situatë dhe do të rikthehemi te rezultatet pozitive. Them se do të vijë përsëri koha të kualifikohemi si në Francë”, u shpreh Ismajli. /Erjon Allaraj-VipSport.al/