Intervista për Vipsport/ Ramadani: Mund të fitonim në Vlorë, me Tiranën një finale e vërtet  

Pas atij fillimi shumë të dobët, Luftëtari ka nisur ta marrë veten me ardhjen e trajnerit Gentian Mezani. Megjithatë, humbjet në Gjirokastër me Skënderbeun dhe Laçin e kanë lënë këtë skuadër në pozita delikate në klasifikim. Barazimi në Vlorë me Flamurtarin mund të jetë pika e kthesës, por ndeshja e radhës me Tiranën është vendimtare për ecurinë e mëtejshme.

E pohon këtë gjë në një intervistë për “Vipsport.al” kapiteni i Luftëtarit, Behar Ramadani, i cili flet për problematikën e pagesave, gjendjen e ekipit dhe sfidën e radhës me Tiranën.

Behar, le ta nisim nga çështja e pagesave, që edhe trajneri Mezani e përmendi pas ndeshjes në Vlorë. Si qëndron situata?

Po, ka pasur një problematikë me pagesat, por na është premtuar një zgjidhje e shpejtë nga drejtuesit e klubit. Ndoshta që nesër kjo çështje do të marrë zgjidhje.

Si do ta komentonit barazimin në Vlorë, që në pamje të parë është një rezultat i mirë për ju?

Të barazosh në Vlorë ndaj Flamurtarit është një rezultat i mirë. Mendoj se Luftëtari zhvilloi një ndeshje të mirë dhe i kishim edhe rastet tona për të fituar. Raste sporadike, por që mund t’i kishim shfrytëzuar dhe mund të ishim kthyer në Gjirokastër me tri pikë. Do të veçoja lojën e Mirosavljev, i cili na ndihmoi shumë, duke luajtur ndoshta ndeshjen më të mirë që kur është te Luftëtari.

Pse kaq luhatje në rezultate nga Luftëtari në këto javë të fundit të kampionatit?

Do të thosha se janë shumë faktorë, që janë bërë bashkë dhe kanë ndikuar. Mungesat që kemi pasur, por ndoshta edhe fati i keq, pasi kemi humbur ndeshje, ku kundërshtari ka bërë një gjysmë gjuajtje dhe ka marrë tri pikët, ndërsa ne kemi humbur shumë raste. E them me bindje se nuk duhej të ishim në këto pozita me lojën që kemi zhvilluar. Është e qartë se tani ekipi vrapon më shumë në fushë dhe me rikthimin e Rrocës do të jemi më mirë.

U fol se mbrojtësi Xhekson nuk ka qenë vërtet i dëmtuar, por nuk nuk ka dashur të luajë në ndeshjen e fundit…

E vërteta është se ai ka pasur probleme me gjurin dhe madje nesër do të shkojë në Janinë për terapi. Se çfarë thuhet pastaj, nuk është puna ime ta komentoj.

Përpara është ndeshja me Tiranën, ku Luftëtari do të ketë edhe mbështetjen e tifozëve. Si e mendoni?

Me Tiranën është një ndeshje shumë e rëndësishme. Unë do ta konsideroja një finale për ne, edhe pse kampionati ka edhe shumë javë përpara. Nëse fitojmë me Tiranën, shkëputemi nga grupi i skuadrave të fundit, ndaj dhe e cilësoj ndeshje shumë të rëndësishme. Pozitiv është fakti që do të kemi edhe tifozët në krah për këtë ndeshje,q ë duhet ta përgatisim sa më mirë.

Edhe kundërshtari i radhës ka pasur probleme kohët e fundit…

Probleme ka pasur, por Tirana e fushës më duket një skuadër e mirë, që prodhon lojë dhe të vë në vështirësi. Tirana ka lojtarë shumë të mirë dhe e kemi shumë të qartë se do të vuajmë. Si ne, edhe ata ndoshta nuk duhej të ishin në këto pozita, nëse kemi parasysh lojën. Ne do të bëjmë gjithçka që të marrim tri pikët dhe t’i shkëputemi grupit që lufton për rënien nga kategoria. Tashmë është e qartë se në kampionat është krijuar një ndarje e skuadrave sipas objektivave. Luftëtari nuk duhet të jetë pjesë e grupit ku bën pjesë tani dhe shpresojmë shumë që të nisim shkëputjen që nga ndeshja me Tiranën. / Vipsport.al/F.R