Intervista për “Vipsport”, Brahja: Vllaznia rival i fortë dhe Laçi po bën surprizë, ky Partizan më afër titullit

Julian  Brahja është një nga mbrojtësit që ka kontribuar shumë në futbollin shqiptar, në skuadra të njohura. Nga Vllaznia, Besëlidhja, Laçi e Kastrioti. Apo dhe me Teutën, Dinamon, Elbasanin, Bylisin e Flamurtarin. Prej dy sezonesh është zv.trajner te Dinamo, ndërsa i kontaktuar nga “Vipsport.al”, kurbinasi në intervistën e tij flet për Superioren dhe garën për titull. Por edhe Kategorinë e Parë, dhe duelin për elitën.

–  Brahja, pas futbollit të luajtur i jeni përkushtuar fushës së trajningut…

Është e vërtetë, eksperiencën e kam nisur aty ku e lashë. E mbylla te Dinamo dhe po aty nisa edhe të drejtojë. Aktualisht jam zv.trajner te blutë, më pëlqen kjo punë shumë dhe mbi të gjitha pasioni për futbollin të bën të jesh më i përkushtuar si drejtues.

-Dinamo pretendente, por me një Vllazni rivale që nuk di të ndalet…

Është e vërtetë që Vllaznia ka një ekip shumë të mirë, por ne do të bëjmë lojën tonë. Lojtarët duhet që t’i mbajmë të karikuar. Kemi gabuar në disa takime, por kemi shumë djem të rinj në përbërje, ndaj edhe synimi ynë është që të zhvillojmë lojë të bukur, por edhe të jemi një ekip dinjitozë.

-Keni pak vite larg Superiores por e ndiqni, si ju duket ky kampionat?!

Me thënë të drejtën më pëlqen fakti që disa ekipe po i rrisin rivalitetin garës. Duke fillura që nga Laçi, Flamurtari apo mbi të gjitha Partizani. Teuta ka një ekip simpatik po ashtu. Pa harruar edhe Kukësin e Skënderbeun që mbeten gjithmonë në majë.

-Kë shihni si ekipet që luftojnë për titullin?

Partizani më pëlqen shumë, luan një futboll shumë të bukur, madje nuk ka as lider në sulm. Është për t’u admiruar që janë një ekip që luajnë në grup, e madje shënojnë lojtarë të ndryshëm në çdo ndeshje. Ky Partizan, jo vetëm që më duket më i organizuar, por e shoh edhe më të “uritur” për titullin. Mendoj se ky është sezoni i duhur, por nuk do ta ketë të lehtë, sepse shohim që Kukësi e Skënderbeu janë aty afër e mbetn rrezik serioz.

-Ka ekipe, por s’ka tifozë, ndryshe nga periudha kur ju luanit. Pse ndodh kjo?

Tifozi që është tifoz, duhet të jetë në mbështetje të skuadrës, si kur është mirë ashtu edhe kur është keq. Nuk e di, por duhet të presim ndonjë derbi Partizani-Tirana apo dhe Partizani-Skënderbeu apo Tirana-Kukësi që të shohim diçka më tepër tifozë se në ndeshjet e tjera. Kaq tifozë sa sheh në ndeshje të Superiores, mbaj mend që na kanë ndjekur edhe në stërvitje!

Intervistoi: E. Saliu/Vipsport.al/