Gjoka: Nuk e prisja, hallall presidentit të Skënderbeut

Forma e mirë që po kalon Skënderbeu këtë sezon, ka rënë në sytë e të gjithëve dhe kjo për faktin se në merkaton e verës, kishte shumë lëvizje në kampin korçar, kryesisht të larguar duke nisur që nga trajneri.

Ernest Gjoka, i ftuar në emisionin “Fair Play” ka komentuar formën që po kalon ekipi i Skënderbeut duke u shprehur se ka mbetur i befasuar nga kjo formë dhe përgëzon presidentin dhe stafin që po bëjnë këtë menaxhim

“Mendoj se për ekipet e vendit të parë këto ndeshje si ajo ndaj Kastriotit janë të vështira për mentalitetin sepse po të shohim, Skënderbeu vjen nga një fitore ndaj Partizanit dhe të shtunën pret ekip të vendit të fundit. Kur shënon shpejtë, lojtarët nuk janë agresive dhe kjo njihet shumë në futboll. Ndonjëherë, kundërshtari mund të shënojë dhe kjo të bën të sforcohesh për të shënuar gol sërish.

Gjithsesi mendoj se Skënderbeu po bën një kampionat të merituar dhe është i kompletuar. Me meritë është në vend të parë dhe unë nuk e kam pritur për shkak të shumë komponentëve, si vendimi i UEFA-s apo edhe ikja e bazës. Bravo i qoftë presidentit dhe stafit që po e menaxhojnë dhe e mbajnë skuadrën në këto ritme. Edhe lojtarët si Muzaka, Radas, Vangjeli po mbajnë shumë përgjegjësi dhe janë lokomotiva. Nëse Skënderbeu vazhdon kështu dhe UEFA merr vendim pozitiv, mund të shpallet kampion”, u shpreh Gjoka. /Erjon Allaraj-VipSport.al/

more recommended stories