Gjithçka normale për Enea Jorgjin, një pushtim fushe dhe një kombëtare që bie nga kategoria

Pjesëmarrja e parë e Enea Jorgjit si gjyqtar kryesor në Ligën e Kombeve ka qenë mjaft pozitive e normale, në një natë ky kryesorit shqiptar ndoshta iu desh të djersinte më pak se sa në disa ndeshje që ka drejtuar së fundmi në Superiore.

Jorgji ishte caktuar të drejtonte mbrëmë ndeshjen mes Hungarisë dhe Estonisë në Grupin 2 të Ligës C. Kjo ndeshje ishte shumë e rëndësishme, pasi diskutohej rënia në Ligën D mes dy skuadrave që mbanin vendin e fundit në grup.

Në fund, fitimtarë dolën hungarezët, të cilët dominuar duelin, ndërsa shënuan me Orban në pjesën e parë dhe Szalai në pjesën e dytë për të fituar qetësisht 2-0 e siguruar mbijetesën, ndërsa Estonia u dënua me rënien në Kategorinë D. Duhet theksuar se ndryshe nga kampionati shqiptar ku Jorgji bashkë me gjyqtarët e tjerë të pranishëm në këtë sfidë, Meta dhe Hamiti, vërshëllejnë pafundësisht, në sfidën e mbrëmshme që ishte teorikisht shumë e tensionuar, gjyqtari nga Elbasani sinjalizoi vetëm 30 faulle në total.

Gjithsesi, ishte një ndeshje lehtësisht e administrueshme, deri në momentet e fundit të saj, kur Jorgji dhe asistentët e tij u bënë spektatorë të një ngjarje të veçantë. Një tifoz estonez hyri në fushë dhe tentoi të shënonte në portën hungareze, siç nuk kishte bërë asnjë nga lojtarët e skuadrës së tij, Ky ndoshta ishte “emocioni” më i madh i mbrëmjes që përjetoi dje arbitri shqiptar në eksperiencën e tij të parë në Ligën e Kombeve. /vipsport.al/