Gavazaj tregon sekretin për të arritur Kombëtaren: Superiorja ka ritëm më të ulët

Enis Gavazaj ka qenë sot para mediave në konferencën e zakonshme për shtyp, aty ku edhe i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve. Në lidhje me mundësinë për të kapur Kombëtaren nga Kategoria Superiore, Gavazaj ka treguar sekretin se si mund të arrihet, ndërkohë që ka dhënë edhe vlerësimin e tij për Kategorinë Superiore.

“Ne na ka sqaruar gjithçka dhe na ka vënë në dukje mangësitë. Ndeshja e kaluar ka qenë e mirë për ne, por na ka munguar fati. Ndeshjen e parë luajtëm ndryshe me 3-5-2 dhe nuk është shumë mbrojtëse pasi është edhe sulmuese. Futbolli modern i do të dyja, si në sulm ashtu edhe në mbrojtje.

Edhe kur isha te Skënderbeu, edhe unë edhe Abazaj erdhëm te Kombëtarja. Këtu niveli është më i lartë dhe vetëm me punë mund të arrihet në Kombëtare. Nuk është nivel i ulët i Superiores. Ndoshta është vetëm ritmi dhe jo niveli. Është kampionat i mirë dhe sezonin e kaluar treguam se nuk është kampionat i dobët.

Nëse trajneri thotë të luajmë me 3-5-2 do të luajmë dhe nëse do një skemë tjetër, gjithsesi do të përshtatemi”, u shpreh Gavazaj. /Erjon Allaraj-VipSport.al/