Formacioni / Nga rezervë e rezervave në titullar, trajtimi i çuditshëm i Ergys Kaçes

Ergys Kaçe pritet të jetë risia e madhe e Kristian Panuçit për ndeshjen kundër Skocisë. Mesfushori i cili ishte lënë vazhdimisht në harresë nga trajneri, duke u kthyer shpesh në rezervën e rezervave, tashmë është planifikuar që të jetë titullar për sfidën e rëndësishme ndaj skocezëve.

Panuçi ka dy elementë të paprekshëm në qendër të mesfushës, Xhakën dhe Memushajn, por ka qenë në vështirësi sa i përket emrit të tretë. Basha është i pezulluar ndërsa Ramadani nuk u grumbullua si pasojë e një dëmtimi. Sikur të mos mjaftonte kjo, Ndoj, një emër të cilin trajneri e sheh si titullar të ardhshëm, ka pësuar një dëmtim dhe nuk do të jetë i gatshëm për sfidën.

Kjo bëri që trajneri të kthente sytë nga Kaçe, të cilin në fakt as nuk e kishte planifikuar në listën e tij të parë, por e mori vetëm si pasojë e mungesës së Ramadanit, ndërsa ka në përbërje edhe Lilajn. Lojtari ishte përballur me të njëjtën situatë edhe në tetor, kur u ftua pasi Ramadani u dëmtua në ndeshjen me Jordaninë. Asokohe kaloi 90 minutat në stol si spektator ndaj Izraelit.

Këtë radhë, tre ditët stërvitje mjaftuan që Panuçi të kuptonte se mesfushorit i cili ka luajtur me kuqezinjtë për herë të fundit 13 muaj më parë, kundër Spanjës dhe Italisë, ka cilësi që mund t’i bëjnë punë përfaqësueses. Që atëherë, Panuçi nuk e ksihte grumbulluar lojtarin edhe pse luante rregullisht me Panathinaikos në Greqi edhe pse përfaqësuesja ka pasur shpesh mungesa të rëndësishme, siç ka pohuar vetë tekniku.

Sa i përket pjesës tjetër të formacionit, nuk ka ndryshime të mëdha në krahasim me atë që pritej që në ditën e parë të grumbullimit. Para Strakoshës do të rreshtohet katërshja Veseli-Gjimshiti-Mavraj-Binaku, me lojtarin e Empolit që do të jetë në vend të Hysajt në të djathtë.

Krahët e mesfushës, ata që duhet të ndihmojnë sulmin, do të mbulohen nga Grezda i riaftësuar dhe Uzuni. Ndërsa Balaj do të jetë sulmuesi i vetëm përpara, me Manajn e gatshëm të japë kontributin e tij në pjesën e dytë. /vipsport.al/