Formacioni ideal/ Ja cilët janë lojtarët më të mirë të javës së 12 në Superiore

Kjo javë, ka qenë shumë e ngjeshur për ekipet e Kategorisë Superiore, duke qenë se kalendari është shumë i ngjeshur për shkak të Ligës së Kombeve dhe në 1 javë, skuadrat kanë zhvilluar 3 ndeshje.

Këtë mesjavë, u mbyll edhe java e 12 e Kategorisë Superiore që nisi të martën me Tirana-Kukësi dhe u mbyll të mërkurën me Flamurtari-Luftëtari, ndërkohë që po të mërkurën u zhvilluan edhe 3 takime të tjera. “VipSport.al” ka përzgjedhur formacionin më të mirë të javës që lamë pas.

Protagonistët:

Alban Hoxha (Partizani)
Pas golit të pësuar në pjesën e parë, Hoxha u bë i pakalueshëm në të dytën, duke qenë vendimtar me pritjet e tij. Në minutat e fundit, ishte ai heroi i Partizanit në fitoren e vështirë 1-2 ndaj Kastriotit.

Albi Doka (Tirana)
Përveç se një siguri më vete në mbrojtje, shpesh herë Doka shihej edhe në mesfushë duke u munduar të organizojë lojën e Tiranës në barazimin 1-1 ndaj Kukësit. Driblon me lehtësi dhe mban skuadrën të karikuar.

Eglentin Gjoni (Laçi)
Golin që i anuluan ndaj Luftëtarit, Gjoni e shënoi ndaj Skënderbeut, duke vulosur fitoren e kurbinasve me rezultatin 2-0 ndaj kampionëve. Përveç se mbrojtës, me 3 golat e tij po kthehet edhe në golashënuesin e skuadrës.

Albi Alla (Flamurtari)
Megjithëse mungoi për disa javë, Alla duket se e ka kapur shpejtë ritmin e lojës dhe kjo u pa në takimin e fundit ndaj Luftëtarit. Vendimtar me ndërhyrjet dhe siguri më vete në mbrojtjen vlonjate.

Lorenc Trashi (Partizani)
Një tjetër paraqitje e mirë për Trashin, që në fakt këtë sezon kanë qenë të shpeshta ndeshjet e tij të mira. Kontribuon në sulm dhe thyen aksionet e Kastriotit në mbrojtje. Ndër më të dalluarit në atë pozicion.

Behar Ramadani (Luftëtari)
Një barazim me shumë vlera i arritur në transfertë ndaj Flamurtarit, tregon se mbrojtja e bluzinjve ka funksionuar mirë. Ramadani me eksperiencën dhe klasin e tij, shpesh herë ka qenë shpëtimtar për Luftëtarin.

Miloslavjev (Luftëtari)
Është një rrezik i vazhdueshëm në portën e Flamurtarit dhe sulmon shpesh portën kundërshtare. Pak nga pak po gjen ritmin e duhur nën drejtimin e Mezanit.

Regi Lushkja (Laçi)
Të rinjtë e Laçit kanë treguar shpesh herë se dinë të luajnë mirë ndaj çdo kundërshtari. Ardhja e Memellit i ka sjellë në vete dhe me Lushkjen në mesfushë, loja e Laçit duket se ka më shumë freski dhe ide.

Valon Et’hemi (Kukësi)
Një paraqitje e mirë për Et’hemin i cili shpesh herë ndërtonte aksione dhe nuk humbiste topa. Pavarësisht se i dëmtuar, gjë të cilën e pranoi Cungu, ishte ndër më aktivët dhe më i dalluari në fushë në barazimin 0-0 ndaj Tiranës.

Jurgen Bardhi (Partizani)
Më në fund u zhbllokua dhe sulmuesi i Partizanit i cili deri më tani kishte dhënë vetëm asiste. Shënon në vendlindjen e tij dhe është protagonist kryesor në fitoren e Partizanit ndaj Kastriotit.

Ndriçim Shtubina (Laçi)
Mbrojtës, mesfushor apo sulmues, Shtubina e bën punën e tij më së miri. Edhe njëherë shënon një gol të rëndësishëm duke i dhënë fitore Laçit ndaj Skënderbeut. /Erjon Allaraj-VipSport.al/