E turpshme! Komisioni i Disiplinës i FSHF tallet me klubin e futbollit

Ndokujt brenda FSHF-së mund t’i jetë dukur argëtuese, por ajo që ka ndodhur sot me vendimet  e Komisionit të Disiplinës është sa e paprecedent, aq edhe e turpshme. Në një vendim zyrtar të dalë nga institucioni i futbollit, komisioni i saj tallet me një klub anëtar, në një vendim në të cilin si për ironi të fatit dënon drejtuesin për shkelje të kodit të etikës.

Presidenti i Shënkollit, Artan Djala, kishte akuzuar hapur Komisionin e Disiplinës duke e cilësuar një “grupim ryshfetexhinjsh, ose më saktë një komision plehrash”, për mënyrën se si kishte përdorur standard të dyfishtë me klubin e tij në krahasim me skuadra të tjera ku kishin ndodhur gjëra edhe më të rënda. Ai kishte thënë se mund të ndryshonte emrin e klubit në Barcelona, në formë ironie.

Pikërisht për një deklaratë të tillë, KDS vendosi të ndëshkonte Djalën me përjashtim për një vit kalendarik nga të gjitha aktivitetet futbollistike. Por problemi nuk qëndron këtu, edhe pse një masë e ekzagjeruar, problemi qëndron te fakti se në vendimin zyrtar, si në asnjë vend në botë, ironizohet nga KDS me klubin lezhjan duke vendosur përkrah emrit të tij edhe Alias Barcelona.

Padyshim që ky është një reagim i turpshëm i këtij Komisioni i cili tregon për të disatën herë se bën pakgjë që mund të cilësohet si profesionale apo normale, siç mund të pritet nga një organ juridik e nuk ka shpesh lidhje me profesionalizmin apo paanshmërinë. /vipsport.al/