Donaruma dhe takimi me CR7: E sfidoja gjithmonë në Play Station, nuk i fola se kisha turp

Luan te Milani dhe me kombëtaren italiane, është vënë përballë emrave më të njohur të futbollit botëror. Por ndeshja përballë Kristiano Ronaldos ka qenë shumë e veçantë për Xhixhio Donarumën, i cili ka pranuar se ka qenë shumë i emocionuar kur u vu përballë yllit portugez që iu bashkua Juventusit në verë.

”Takimi me CR7? Ishte një emocion i madh, kam luajtur gjithmonë në Play Station kundër tij. Nuk i thamë asgjë njëri-tjetrit pasi kisha turp”, deklaroi sot portieri italian për “Rai Sport”, duke folur për ndeshjen e fundjavës ku portugezi në jetën reale e mundi me bardhezinjtë dhe arriti edhe t’i shënonte gol.

Atë ndeshje Milani e mbylli me 10 lojtarë, pas kartonit të kuq të Higuain, i cili u ndëshkua pas një proteste shumë të tepruar ndaj gjyqtarit dhe nuk u kursye me ulërima edhe ndaj Kristiano Ronaldos. Ajo i kushtoi kartonin e kuq dhe një pezullim dyjavor argjentinasit, një gjest aspak i këndshëm për të cilin Donaruma tregon se sulmuesi kërkoi falje pas ndeshjes.

“E kemi falur edhe ne, ai është një djalë i mbarë, na kërkoi falje ne dhe para shtypit. Janë gjëra që ndodhin, për të ishte një ndeshje shumë e rëndësishme. E rëndësishme është të kuptosh që ke bërë një gabim dhe të mos e përsëritësh. Pastaj foli edhe me gjyqtarin e i kërkoi falje edhe atij, Gatuzo nuk i tha asgjë, e la të shfrynte, përndryshe…”, tha duke qeshur Donaruma. /vipsport.al/