Dokumenti / Abuzoi me licencimin e klubeve, UEFA gjobit rëndë FSHF-në

UEFA nuk ka ia ka falur FSHF-së gabimin e rëndë që ka bërë dy vite më parë duke licencuar pa asnjë lloj kriteri klubin e Tiranës për të marrë pjesë në Ligën e Europës. Klubi bardheblu, në mënyrë të papritur fitoi të drejtën të merrte pjesë në aktivitetet ndërkombëtare për editonin 2017-2018 edhe pse nuk plotësonte asnjë kusht të licencimit, sa i përket situatës financiare pasi kishte llogaritë e bllokuara dhe qindra mijëra euro borxhe..

Një vendim i tillë sigurisht që la të pakënaqur UEFA-n, e cila hapi një hetim dhe fillimisht ndëshkoi Tiranën duke i hequr asaj të gjithë përfitimin financiar që do të kishte nga pjesëmarrja në aktivitet. Por nga ana tjetër, hetimi ka përfshirë edhe FSHF-në, e cila ka rezultuar se ka shkelur të gjithë rregullat duke abuzuar me dhënien e licencës për klubin bardheblu.

UEFA ka bërë të ditur së fundmi edhe sanksionet që janë dhënë ndaj FSHF-së, pas një marrëveshje dypalëshë që është firmosur gjatë këtyre ditëve. Vetë FSHF ka pranuar zyrtarisht se i ka dhënë në mënyrë të gabuar Tiranës licencën për të marrë pjesë në Europë dhe ka pranuar masat e UEFA-s, mes të cilave edhe të jetë nën vëzhgim për tre sezonet e ardhshme (2018/19, 2019/20 dhe 2020/21), ndërsa mund të përballet me sanksione të tjera nëse nuk përmbush në vijim kërkesat e ndërkombëtarëve.

Përveç kërkesës së garantimit të aplikimit të rregulloreve dhe moslejimit të pjesëmarrjes në Europë të klubeve me bilance financiare të parregullta, UEFA nuk ka ngurruar t’i vendosë një gjobë të rëndë FSHF-së për gafën që ka bërë.

Kështu, asaj në dy vitet në vijim do t’i mbahen 100 mijë euro nga pagesat që përfitonte nga UEFA, ndërsa është paralajmëruar se 150  mijë euro të tjera do t’i mbahen nëse nuk përmbush detyrimet gjatë periudhës që do të jetë nën vëzhgim.

FSHF u mundua t’ia vinte fajin vetëm anëtarëve të Komisionit të Apelit të Licencimit të saj për licencën e Tiranës në majin e vitit 2017, por para UEFA-s është detyruar të pranojë fajin dhe përgjegjësinë e saj për këtë abuzim të shëmtuar që i ka sjellë edhe një dëm ekonomik futbollit tonë. /E.K./vipsport.al/

 

more recommended stories