Dikur luante me Kombëtaren, tashmë synon të rikthejë Vllazninë në Superiore

Vllaznia, në tetë takimet e para që janë luajtur deri më tani, numëron shtatë fitore dhe një barazim. Në fakt, kuqeblutë e nisën me vonesë fazën përgatitore por edhe merkaton. Por, për hir të së vërtetës janë duke bërë diferencën në Grupin A të Kategorisë së Parë.

Gilman Lika, një nga liderët e kuqebluve, ish-futbollist i kombëtares sonë deri pak vite më pare, që ka qenë edhe pjesë e skuadrave të njohura elitare si: Tirana e Skënderbeu por edhe Flamurtari, në një prononcim që ka dhënë për “Shkodrasport”, ka pohuar: “Deri më tani kemi bërë mirë, madje kemi vetëm një barazim dhe shtatë fitore në tetë ndeshje. Ndoshta, as ne nuk e mendonim një ecuri kaq të mirë. Por, duhet të them se gjërat sa vijnë e bëhen më të vështira për Vllazninë dhe ne që kemi një detyrë jo të lehtë, për ta rikthyer në Superiore”.

Objektivi

“Nuk duhet që të lëmë veten tonë në “duart” e të tjerëve, por duhet që të fitojmë sa më shumë ndeshje, në mënyrë që në fazën e tretë ta kemi më të lehtë. Vetë formula e kampiontait, t’i ndërlikon pozitat dhe kjo është parë edhe në sezonet e shkuara”.

Rivalët

Në fund, Gilman Lika foli edhe për ekipet rivale. “Dinamo, Erzeni e Besëlidhja kanë skuadra të mira, por edhe traditë. Ne duhet që t’i mbajmë sa më larg vetes. Sa më shumë pikë diferencë nga rivalët, aq më e lehtë do të jetë për ne ngjitja në fazën e tretë”, – tha Gilman Lika, i cili ka pasur edhe problem dëmtimesh në këtë sezon.

E.S./Vipsport.al/