Çeferin i mbyll dyert Superligës së klubeve: Nuk bëhet, është ëndërr

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin, i ka mbyllur dyert idesë së krijimit të një Superlige mes klubeve të mëdha europiane që do të organizoheshin për të luajtur bashkë, ndoshta plotësisht jashtë UEFA-s, me një projekt ambicioz që do të sillte qindra miliona euro në arkat e tyre.

“Kjo Superligë nuk do të shohë asnjëherë dritën e diellit. Është një trillim ose një ëndërr”, tha i prerë Çeferin në një intervistë për BBC rreth projektit që u zbulua pak javë më parë nga “Football Leaks”. “Ne kemi disa ide për ndryshime. Por ajo që mund të them që tani është që mbetet jashtë diskutimit të autorizojmë këtë Superligë. Të gjithë mund të vazhdojnë të konkurrojnë në kompeticionet europiane. Fatkeqësisht, të pasurit bëhen shpesh më të pasur. Mendoj se jemi një nga të paktat organizata në botë që përballen me këtë temë. Mendimi ynë është që futbolli evropian do të bëjë para vetëm nëse do të rrijë i bashkuar”, tha ai.

Ndërkohë, presidenti i Juventusit, Andrea Anjeli, ka deklaruar se bardhezinjtë nuk janë të përfshirë në këtë çështje, edhe pse emri i tyre del si një prej organizatorëve të Superligës së mundshme. “Ne as nuk e kemi parë, as nuk e kemi diskutuar dhe as jemi përfshirë në realizimin e këtij dokumenti. Jemi tërësisht të përfshirë në UEFA që të rritim futbollin”, tha ai për median britanike. /vipsport.al/