Zenga premton më shumë minuta për Vrionin: Do jetë pjesë e rotacionit

Xhakomo Vrioni do të ketë më shumë minuta në dispozicion në vazhdimin e sezonit në radhët e Venecias. Konfirmimi vjen nga fjalët e trajnerit Valter Zenga, i cili sheh sulmuesin e ri shqiptar si një alternativë shumë interesante, edhe pse nuk e aktivizoi në ndeshjen e tij të parë në radhët e skuadrës së Venecias, në barazimin e djeshëm 1-1 ndaj Veronës.

“Ne do të luajmë me një 4-3-3 të pastër. Di Mariano e Falcerano mund të japin shumë përkrah Litierit, por nuk e përjashtoj që Çitro dhe Vrioni do të jenë pjesë e rotacionit. Kam shumë lojtarë dhe do t’i aktivizoj të gjithë”, theksoi trajneri i Venecias i cili filloi punë pak ditë më parë pas ndryshimit në pankinën e skuadrës që është larg pritshmërisë për të luftuar për vendet e para.

Vrioni e nisi sezonin me ambicien për të qenë titullar te skuadra e Venecias, por deri tani ka luajtur vetëm 3 ndeshje me fanellën e kësaj skuadre, për një total prej 152 minutash, ndërsa nuk ka gjetur ende rrugën e rrjetës me këtë skuadër. /vipsport.al/

more recommended stories