Xhenoa fikson çmimin për Piatek, të gjithë në radhë për sulmuesin polak

“Corriere dello Sport” mundohet të hedhë dritë në lidhje me të ardhmen e sulmuesit polak të Xhenoas, Kristof Piatek, i cili është aktualisht shënuesi më i mirë i Serisë A. Piatek është blerë nga Xhenoa për shumën e 4 milionë eurove, por tani vlen të paktën 40 milionë euro.

Jo vetëm kaq, por radha për të blerë sulmuesin në fjalë është e madhe dhe kryesohet nga klube më me zë të Europës. Në Itali janë Juventusi dhe Interi të interesuar seriozisht për këtë futbollist. Po ashtu, për Piatek po punojnë edhe Bajerni i Mynihut dhe klubet e mëdha angleze.

Por të paktën deri fund të këtij sezoni tifozët e Xhenoas mund të rrinë të qetë, sepse sulmuesi polak nuk do të lëvizë në janar. Presidenti Preciozi nuk ka në plan ta shesë pa u mbyllur sezoni “xhevahirin” e tij. / Vipsport.al/F.R