Vllazninë e ndjekin problemet edhe në të Parën, dhimbje koke për Likën

Në vitin më të errët në histori, Vllaznia po kalon një formë të mirë në Kategorinë e Parë duke kryesuar bindshëm dhe duke dhënë sinjale për një rikthim të shpejtë në Kategorinë Superiore. Të drejtuar nga Hasan Lika, shkodranët kanë arritur të fitojnë deri në këto momente të gjitha takimet e Kategorisë së Parë.

Këtë javë, është Erzeni ekipi që do të sfidojë Vllazninë në javëne  gjashtë. Takimi që do të luhet në Shkodër, është marrë me optimizëm nga kuqeblutë, megjithëse kanë disa mungesa të rëndësishme. Gilman Lika, Bardulla dhe Selimaj janë mungesat e rëndësishme të Vllaznisë këtë javë. Lajmi bëhet i ditur nga vetë faqja zyrtare e Vllaznisë në “Facebook”.

“Pasditen e sotme ekipi i Vllaznisë ka zhvilluar seancën e radhës në fushën sportive të Shtojit. Stafi teknik gjatë kësaj seance ka punuar kryesisht në planin taktik duke bërë gati skuadrën për ndeshjen e së shtunës ndaj Erzenit. Me përjashtim të kapitenit Lika, Bardullës e Selimajt, pjesa tjetër e futbollistëve do të jetë e gatshme për këtë sfidë.

Në radhët e sportistëve ka besim se do ia dalin me sukses edhe në ndeshjen e radhës ndaj Erzenit, për të marrë ndaj tij fitoren e radhës. Megjithatë trajneri Lika dhe ndihmësit e tij janë munduar ta mbajnë skuadrën me këmbë në tokë duke u munduar të injektojnë tek pjesëtarët e saj idenë se për të marrë trepikëshin e radhës, duhet ta meritojnë në fushën e lojës. Bindja për këtë ekziston tek të gjithë megjithatë duhet siguruar brenda 90 minutave të ndeshjes që do të luhet ditën e shtunë në orën 14.00 në fushën sportive “Reshit Rusi”, shkruhej në njoftimin e klubit. /Erjon Allaraj-VipSport.al/

 

more recommended stories