VIDEO / Përmbysje historike, por goli i Marsial i kushtoi Junajtid 7,7 milion paund

Mançester Junajtid realizoi një përmbysje historike në fundjavë përballë Njukasëll duke kthyer një humbje 0-2 në 20 minuta në një sukses 3-2. Por “djajtë e kuq” kanë humbur disa miliona paund nga ajo ndeshje dhe shkaktari është Antoni Marsial.

Ai shënoi golin e barazimit të përkohshëm 2-2 me një goditje të shkëlqyer, por kaq mjaftoi që Mançester Junajtid të humbte menjëherë 7,7 milionë paund falë një klauzole të vendosur në kontratën e tij në momentin kur u transferua nga Monako në vitin 2015.

Junajtid kishte paguar 38,5 milion paund por kishte vendosur më pas shumë klauzola të tjera në marrëveshjen me klubin e principatës. Njëra prej tyre ishte ajo e pagesës së një shifre prej 7,7 milion paund nëse futbollisti do të shënonte 25 gola në Premier Ligë para fundit të sezonit 2018-2019.

Monako kishte rreth 10 muaj që priste për realizimin e këtij goli, pasi ai i numrit 24 kishte qenë në janar, ndaj Bërnlit e tashmë u arrit shifra 25 që u siguron çekun nga klubi anglez.

Ndërkohë, ka klauzola të tjera në kontratë të cilët mund t’i kushtojë gjithashtu nga 7,7 milion paund “djajve të kuq” nëse plotësohen. E para është nëse Masial arrin 25 ndeshje me fanellën e Francës (ai ka 17 aktualisht). Ndërsa tjetra është më pak e mundshme, pasi bëhet fjalë për fitoren e “Topit të Artë”. /vipsport.al/