VIDEO / Nuk ka të pathyeshëm, Teuta i shkakton humbjen e parë Laçit

As Laçi nuk e ka mbyllur fazën e parë të kampionatit si i pamposhtur, pasi është mundur sot si “pritës” në Elbasan nga Teuta me shifrat 3-0. Kurbinasit shkonin në duelin e sotëm me dëshirën për t’u konfirmuar si pretendentë, por plani i tyre dështoi që në minutat e parë pasi  Xhixha u ndëshkua me karton të kuq duke lënë ekipin e tij me 10 lojtarë.

Një supergol i Latif i dha avantazhin Teutës dhe ia dha mundësinë durrsakëve të administronin rezultatin dhe të dyfishonin shifrat me Prognin. Kurbinasit goditën edhe shtyllën por nuk arritën të shënonin, ndërsa rrjetën e gjeti Teuta me rastin që iu shfaq Latifit, i cili realizoi golin e 3-0 që mbylli ndeshjen.

MINUTË PAS MINUTE

90’+3′ Mbyllet ndeshja me fitoren 3-0 të Teutës. 

90’ Progni shfaqet i vetëm para Selmanit por ky i fundit bën mrekullinë duke i bllokuar kuadratin e portës dhe ndal gjuajtjen e mesfushorit të durrsakëve.

90’ Jepen 3 minuta shtesë.

85’ Laçi duket i dorëzuar dhe palët thjesht po presin mbylljen e takimit pasi tashmë gabohen edhe pasimet e thjeshta.

83’ Mundësia më e mirë e Laçit për të shkurtuar diferencën. Pas një goditje dënimi, Eler merr mirë topin dhe shfaqet në krahun e majtë, por sfera devijohet nga Hidin që shpëton katërkëndorin e tij.

77’ Shkëmbi nuk rrezikon më sulmuesin dhe e ul në pankinë, duke aktivizuar Vecajn për minutat e mbetur të takimit.

73′ GOOOL Teuta, shënon Latif. Progni merr mirë topin në krahun e djathtë dhe pastaj pason në qendër për Latif. Ky i fundit nuk e ka të vështirë të shënojë, por sulmuesi më pas shtrihet në tokë pas një kontraktimi muskulor, duke lënë në mes festimin e tij.

70’ Goditje dënimi për Laçin nga e majta e sulmit, topi i harkuar në zonë nga Sefgjini nuk gjen asnjë prej lojtarëve të kurbinasve, pasi Osmani kontrollon me qetësi dhe spastron zonën.

64’ Sulm i shpejtë i Shtubinës në krahun e majtë, depërtim në zonë dhe gjuajtje e fortë diagonale, por Hidi pret në pozicion.

57’ Zëvendësim tjetër për durrsakët, Avdyli i lë vendin Gashit.

57’ Sulm i shpejtë i skuadrës së Teutës në krahun  majtë, Progni gjuan por sfera kalon mbi traversën e portës së Selmanit.

55’ Zëvendësim i detyruar te kurbinasit, Toro i dëmtuar i lëshon vendin Smaçit.

55’ Pas një goditje nga këndi, topi shkon te Bicaj i cili gjuan nga jashtë zonës, por sfera kalon pak mbi traversën e portës së Selmanit.

53’ Kundërzbritje e shpejtë e Teutës në krahun e majtë me atë të Traore, pasimi drejt qendrës devijohet në momentin e fundit nga Gjoni që largon sferën jashtë vijës fundore.

49’ Fillim më i ngadaltë i ndeshjes në pjesën e dytë, pasi Teuta qarkullon gjatë topin për të mbajtur sa më larg zonës ekipin kurbinas.

46’ Ndryshime në të dy skuadrat, Hadroj zë vendin e Jonuzit te Laçi ndërsa Gjeorgjievski futet në vendin e Ndrecës te Teuta.

45’+1′ Mbyllet pjesa e parë me avantazhin 2-0 të Teutës. 

45′ Jepet 1 minutë shtesë.

44’ Goditje nga këndi e ekzekutuar nga Kallaku i cili lëshon një harkim të mirë në qendër, Selmani del dhe devijon topin me një grushtim duke larguar rrezikun nga katërkëndori.

40’ Ritmi ka rënë në këto minuta, pasi Shkëmbi udhëzon skuadrën e tij të qarkullojë sa më shumë topin dhe të ngadalësojë manovrën për të mbyllur pjesën e parë me avantazh të dyfishtë.

35’ Laçi ka zhvendosur lojën në gjysmëfushën e Teutës edhe pse me një lojtar më pak, por nuk gjen hapësira për të rrezikuar katërkëndorin e Hidit.

32’ Me fat Teuta. Najdenov ekzekuton një goditje dënimi ballore, por topi pasi përplaset në shtyllë kthehet në duart e portierit Hidi.

25’ GOOOL Teuta, shënon Progni. Harkim në zonë nga e djathta, Progni me kokë devijon sferën në rrjetë dhe dyfishon shifrat.

22’ Laçi kundërpërgjigjet me një gjuajtje te Fangajt, por devijimi i Osmanit bën që sfera të përfundojë në goditje nga këndi.

16’ GOOOL Teuta, shënon Latif. Sulmuesi shënon një supergol, me një gjuajtje fluturimthi pas një harkimi të gjatë nga e majta.

15’ Goditje nga këndi për Teutën, nuk e shfrytëzon askush pasi Selmani del i qetë dhe kontrollon sferën.

10’ Harkim i gjatë i Kallakut për Latif, por Selmani është përsëri i vëmendshëm dhe del para duke ndalur topin para sulmuesit.

8’ Fangaj del mirë në krahun e djathtë dhe harkon në zonë për Shtubinën, i cili nuk gjen kuadratin me kthesën e tij.

4’ Harkim në zonë nga goditja e dënimit për Teutën, del Selmani dhe largon sferën.

3’ Faull i rëndë i Xhixhës në mesfushë ndaj Kallakut, Enea Jorgji nuk heziton të nxjerrë kartonin e kuq duke lënë Laçin me 10 lojtarë që në fillimin e ndeshjes.

1’ Fillon ndeshja në “Elbasan Arena” me shkelmimin nga qendra të Teutës.

LAÇI-TEUTA 0-3
16′, 73′ Latif, 25′ Progni

Laçi: Selmani, Fangaj, Toro (55′ Smaçi), Gjoni, Sefgjini, Eller, Jonuzi (46′ Hadroj), Najdenov, Lushkja (70′ Bushi), Xhixha, Shtubina.
Trajner: Artan Mërgjyshi.

Teuta: Hidi, Beqja, Bicaj, Shkalla, Ndreca (46′ Gjeorgjievski), Avdyli (57′  Gashi), Osmani, Kallaku, Progni, Traore, Latif (77′ Vecaj).
Trajner: Bledi Shkëmbi.

KV: Hidi, Ndreca. Gjeorgjievski

KK: Xhixha

Gjyqtarë: Enea Jorgji, Denis Rexha, Rejdi Avdo, Emigers Ganxhi; Arbitra linje: Juxhin Xhaja; Kridens Meta