VIDEO / As Mema nuk bën punë, Flamurtari mund Tiranën

As ndryshimi i trajnerit nuk i bën punë Tiranës, e cila ka regjistruar humbjen e radhës në kampionat dhe ka humbur plotësisht kontaktin me grupin e skuadrave që luftojnë për vendet e sipërme në klasifikim, duke notuar rrezikshëm pranë zonës së ftohtë. Kthimi i Ardian Memës në Vlorë, këtë herë si kundërshtar, nuk ka ndryshuar asgjë, pasi në fund kanë qenë vlonjatet që kanë triumfuar me shifrat 1-0 ndaj kryeqytetasve.

Diferencën në një ndeshje të barabartë, e ka bërë goli i Danilo Alvesh në pjesën e dytë, pas një gabimi në mbrojtjen e skuadrës së Tiranës, e cila shfaqi problemet e zakonshme në fazën sulmuese që me sa duket duan kohë për t’u rregulluar.

MINUTË PAS MINUTE

90’+4’ Mbyllet ndeshja me fitoren 1-0 të Flamurtarit.

90’ Jepen 4 minuta shtesë.

90’ Lëvizja e fundit e Dajës, larg fushës Danilo Alvesh për t’i bërë vend Kotobellit.

86’ Një goditje nga këndi e vlonjateve nuk shfrytëzohet mirë nga kuqezinjtë, por as nga Tirana që kishte mundësi të niste një kundërsulm të shpejtë, pasi bardheblutë humbin topin menjëherë që në gjysmëfushën e tyre.

82’ Mema ndryshon strategji, në lojë Ngoo për të shfrytëzuar harkimet nga krahët.

77’ Daja provon me një gjuajtje nga jashtë zonës, sfera përfundon jashtë me Koliçin i cili e ndjek me sy pa u shqetësuar.

76’ Tjetër mundësi e mirë për Flamurtarin, me topin që përfundon në zonën e Tiranës pas një rivënie anësore, por askush nuk arrin të devijojë sferën drejt portës.

75’ Mema bën lëvizjen e parë duke larguar Kobinah, për të aktivizuar Sentamu.

72′ GOOOL Flamurtari, shënon Danilo Alvesh. Pas një gabimi në prapavijë, Hyseni shfaqet para Likës. Ky i fundit ndal mesfushorin, por topi shkon te Alvesh i cili gjuan me shpejtësi në portën e boshatisur dhe kalon ekipin e tij në avantazh.

64’ Siljanovski mundohet të gjejë rrjetën me një gjuajtje nga jashtë zonës, sfera shkon shumë mbi kuadratin e portës së miqve.

62’ Minuta tensioni në fushë, Siljanovski kërkon ndëshkimin e Grecës i cili goditi në shpinë futbollistin e vlonjateve.

59’ Pas një goditje nga këndi të skuadrës së Tiranës, mbrojtja e vlonjateve largon sferën jo pa vështirësi.

58’ Pasim i gjatë për Hasanin i cili niset në kundërsulm drejt zonës por Veliu është përsëri i vëmendshëm dhe me një rrëshqitje të saktë i heq topin nga këmbët mesfushorit bardheblu.

53’ Flamurtari bën presing të lartë në këto minuta të para, duke mbyllur Tiranën në gjysmëfushën e saj, por askush nga vendasit nuk arrin të gjuajë drejt kuadratit të portës.

49’ Shtohen reshjet e shiut duke bërë terrenin më të rrëshqitshëm dhe penguar saktësinë në pasime të lojtarëve të të dy skuadrave.

47’ Aksion i shpejtë i Grecës në krahun e majtë, me mesfushorin e Tiranës që është lojtari më i rrezikshëm i bardhebluve deri tani. Ai arrin të harkojë në zonë, por Kobinah nuk gjen kohën për të goditur drejt portës vlonjate.

46′ Rifillon ndeshja pa zëvendësime mes dy skuadrave.

45’+1’ Mbyllet pa gola pjesa e parë e ndeshjes.

45’ Jepet një minutë shtesë.

44’ Pas një goditje nga këndi, topi përfundon te Hyseni, i cili gjuan në hyrje të zonës për nuk ka shënjestrën për të rrezikuar portën e Likës.

41’ Lojë e ndërprerë shumë shpesh nga faullet, asnjë nga skuadrat nuk di të rrezikojë prej shumë minutash me aksione të rrjedhshme.

36’ Danilo Alvesh ndëshkohet më karton të verdhë, pas një goditje ndaj Dajës.

35’ Greca fiton topin në sulm, por pasi hyn në zonë, sfera devijohet jashtë nga prapavija bardheblu.

31’ Goditje dënimi për Tiranën, topi shkon në zonë te Daja, por ai nuk arrin të gjuajë pasi ndalet në pozicion jashtë loje.

25’ Situata zhvendoset në portën tjetër, ku vetëm një ndërhyrje e Veliut i heq topin nga këmbët Hasanit i cili kishte hyrë në zonë pas një kundërzbritje të shpejtë.

23’ Bushiç nuk arrin të përfitojë nga një dhuratë e bardhebluve, Turtulli gabon largimin e topit nga zona e më pas sfera përfundon te Torasa i cili ia kalon sulmuesit kroat. Por ky i fundit gjuan shumë lehtë dhe sfera përfundon lehtësisht në duart e Likës.

21’ Kobinah mundohet të gjejë rrjetën me një gjuajtje nga jashtë zonës, shënjestra është tërësisht e gabuar dhe nuk shqetëson Koliçin.

18’ Pas një goditje nga këndi të Tiranës, Turtulli mundohet të gjuajë drejt portës, por ndalet nga vijërojtësi i cili sinjalizon për pozicion jashtë loje goditjen e mbrojtësit të dalë në ndihmë të sulmit.

14’ Turtulli është i ndëshkuari i parë i ndeshjes me të verdhë pas faullit kundër Torasës.

12’ Një tjetër aksion nga Greca në krahun e majtë, futbollisti gjuan drejt portës, por sfera bllokohet nga Koliçi pasi kalon mes këmbëve të mbrojtësve vendas.

10’ Top i gjatë nga Veliu për Bushiç i cili nuk gjen kohën për të goditur dhe Lika kontrolloi pa shumë shqetësim.

7’ Qarkullim i gjatë i topit nga Flamurtari, askush nga vendasit nuk arrin të gjejë një hapësirë dhe në fund humbet topi me harkime të gjata drejt zonës që nuk gjejnë askënd.

3’ Aksion i shpejtë i Tiranës në krahun e majtë, topi harkohet në zonë nga Greca, Kobinah e gjuan me shpejtësi por Musta largon topin para se të kalonte vijën me një devijim me kokë.

1’ Fillon ndeshja në Vlorë.

FLAMURTARI-TIRANA 1-0
72′ Alvesh

Flamurtari: Koliçi, Siljanovski, Pollozhani, Veliu, Musta, Batha, Useini, Hyseni (80′ Mustafa), Torasa (77′ Ribaj), Bushiç, Alvesh (90′ Kotobelli).
Trajner: I.Daja.

Tirana: Lika, Doka, Turtulli, Hoxhallari, Imami, Daja, Karabeci, Maveje, Greca, Kobina (74′ Sentamu), Hasani (82′ Ngoo).
Trajner: A.Mema.

KV: Pollozhani, Danilo Alvesh, Torasa, Siljanovski / Turtulli, Imami

Gjyqtar: L.Alla

more recommended stories