Venger për të ardhmen: Kam marrë oferta nga e gjithë bota, në janar kthehem në stol

Arsen Venger, ish-trajneri legjendar i Arsenalit, ka folur për të ardhmen e tij. Ai ka pranuar për gjermanen “Bild” se pas pesë muajsh mungesë, është gati të marrë drejtimin e një tjetër skuadre.

“Besoj se do të kthehem të drejtoj një skuadër në janar. Nuk e di ende se ku do të jem, por jam i motivuar për t’u ulur sërish në stol. Falë 22 viteve të mia në krye të Arsenalit, kam aq përvojë sa të drejtoj sërish në nivele të larta. Kam oferta nga e gjithë bota, edhe nga Japonia”, – ka theksuar mes të tjerash trajneri francez.

Venger nuk ka përmendur asnjë emër skuadre dhe asnjë kampionat, ku mund ta gjejë veten vitin e ardhshëm. Zërat e merkatos e lidhin atë me shumë klube të njohur, por duhet pritur për të mësuar zgjedhjen e ish-trajnerit të Arsenalit. / Vipsport.al/F.R