Ujkani sheh më larg se e gjithë Kosova: Euro 2020? Po bëjmë ekip për Botërorin

Mjafton të shohësh Kosovën duke luajtur në vitin e fundit për të kuptuar se përfaqësuesja e saj ka një të ardhme të ndritur përpara e me të drejtë, shumëkush e sheh si një prej pjesëmarrëseve më të mundshme në Euro 2020. Por kapiteni e padyshim lideri i kësaj skuadre, Samir Ujkani, tregon se objektivi është më i lartë, pasi ajo kërkon të shkruajë historinë jo vetëm në Europian.

“Jemi të parët në klasifikim por nuk është vetëm kjo. Luajmë futboll, mundohemi të nisim lojën nga mbrapa, duke kërkuar zgjidhje inteligjente”, shpjegoi ai në një intervistë për “TMW”, duke shtuar se ambiciet vijnë edhe nga grupi i ri që ka ky ekip në përbërje. “Janë 19, 20, 21 vjeç.  Për djemtë tanë nuk është e lehtë të luajnë në një moshë kaq të re me kaq shumë përgjegjësi, por kanë cilësi të rëndësishme. Në vitin 2020 mund të bëhemi një kombëtare e aftë që të shkojë në një Botëror”, tregoi ai objektivin që me sa duket grupi i Kosovës i ka vënë vetes.

“Jemi rritur si skuadër, edhe djemtë individualisht, Më parë kishin 10 ndeshje të luajtura në karrierë, tani kanë 80. Eksperienca po rritet, edhe Federata po bën shumë. Më parë luanim në Shqipëri, pa një stadium tonin, tani dy ndeshjet e fundit i kemi luajtur në Kosovë. Pas gjysmë ore janë shitur 13 mijë biletat për të dy ndeshjet, ishte çmenduri, nuk mund të siguronim as për familjarët tanë. Ëndrra jonë ishte të luanim në shtëpi dhe ia dolëm”, tregoi Ujkani. /vipsport.al/

more recommended stories