U provua te Shalke 04 një vit më parë, klubi i Bylisit dedikim motivues për talentin e Kombëtares U-17

Ballshiotët, ndonëse kanë synuar ngjitjen në Superiore dhe nuk e kanë realizuar dot, vitet e fundit në Kategorinë e Parë, janë skuadra që po shesin lojtarë. Dy vite më parë Ardit Hoxhajn te Skënderbeu, ndërsa verën që shkoi Niko Zisi te Kamza.

Këtë sezon janë disa futbollistë që premtojnë shumë, duke nisur që nga: Dramolli, Doksani, Janku, Sadik Çela, Antoni, Ntepe, Barjamaj e Mehmetaj. Por, duket se ky i fundit shihet si e ardhmja e futbollit mallakastriot. Ka mbushur 17-vjeç pak ditë më parë, madje një vit më parë u provua në radhët e klubit të njohur gjerman, Shalke 04.

Por, një dëmtim i pësuar javën e shkuar teksa luante me skuadrën e U-19 të Bylisit, në kryeqytet e ka detyruar Eljan Mehmetajn që sot të bëj një ndërhyrje në ligamentin e kroçatit. Eljan Mehmetaj, ka debutuar që në moshën 15-vjeçare me skuadrën e Bylisit në Kategorinë e Parë, ndërkohë që sezonin e shkuar ai ka luajtur në fazën e tretë rregullisht.

Mehmetaj do të jetë gati vetëm për pjesën e dytë të këtij sezoni, ndërkohë që presidenti Besnik Kapllanaj dhe klubi i janë gjendur afër mbrojtësit 17-vjeçar që sezonin e shkuar u grumbullua edhe nga Kombëtarja U-17 e trajnerit Xhemal Mustedanagiç. “Mallakastriot lind, nuk bëhesh! Eljan Mehmetaj, talenti i skuadrës sonë, por edhe një nga lojtarët me perspektivë që shumë shpejt do të jetë në Kombëtare, sot është operuar dhe e ka kaluar operacionin me sukses!

Në emër të klubit, skuadrës por edhe tifozëve mallakastriotë i urojmë shërim dhe rikthim të shpejtë me Bylisin, aty ku ti e ke vendin!

Mos harro: “Mallakastriotët nuk dorëzohen, historinë e kemi bërë neve, kudo dhe kurdo, ndaj kujtdo” Forca Eljan trimi, jemi me ty!”, – shkruhet në postimin e faqes së Bylisit në “Facebook”.

E.Saliu/Vipsport.al/

more recommended stories