Televizioni madrilen: Laudrup është gati të zërë vendin e Lopetegui

Julen Lopetegui nuk ka të sigurt vazhdimin në stolin e Real Madrid dhe në Spanjë duken të sigurt se në klub kanë filluar që tani lëvizjet për pasardhësin e tij. Sipas asaj që informon “Telemadrid”, televizioni i qytetit, Majkëll Laudrup është emri i parë që i është ofruar Florentino Perez për të marrë drejtimin kurdo që spanjolli të shkarkohet nga detyra.

Në Spanjë tregojnë se është një veprim i ngjashëm me atë të Zidan në janarin e vitit 2016, kur filloi cikli i jashtëzakonshëm që solli tre Liga Kampionesh në raftin e trofeve të klubit. Por këtë radhë, ish-futbollisti i njohur danez i cili ka luajtur me Realin dhe Barcelonën, ka më shumë eksperiencë se sa kishte francezi.

Ai ka drejtuar fillimisht te Brondbi e më pas Getafe, Spartak Moskë, Majorka, Suonsi, Lekhuia dhe Al-Rajan. Propozimi tërheq shumë Perez, i cili nuk është i kënaqur me punën e trajnerit aktual, ndonëse ky i fundit e kishte filluar me shumë vrull dhe sakrifikoi edhe pankinën e Spanjës për të marrë drejtimin  e madrilenëve. Në fakt, në mediat spanjolle janë lakuar shumë emra si zëvendësues të tij, por vetëofrimi i Laudrup tregon se diçka ka nisur të lëvize dhe se Lopetegui i realisht ka orët e numëruara. /vipsport.al/