Talenti i Apolonisë nis stërvitjen, në nëntor zbret në fushë

Në 19 shtator, sulmuesi premtues i skuadrës së Apolonisë, i grumbulluar edhe nga ekipi ynë Shpresa U-21, Redon Mihana u operua. Klubi fierak i qëndroi afër sulmuesit, tek i cili sheh pasardhësin e Uzunit dhe Krasniqit.

Por, nga sa bëhet e ditur, sulmuesi ka nisur stërvitjen nën kujdesin e rreptë të stafit mjekësor. Mihana, duket se do të rikuperohet më herët nga sa është menduar. Me shumë gjasa, Mihana do të jetë në fushën e lojës në muajin nëntor.

Kujtojmë që Redon Mihana ishte zbulimi i skuadrës së Apolonisë, por edhe në Kategorinë e Parë. Ai shënoi edhe 8 gola në kampionatin e kaluar nëë Kategorinë e Parë, duke u grumbulluar nga Kombëtarja U-19, e më pas edhe nga Shpresa U-21. Në fakt, për sulmuesin kanë filluar edhe interesimet nga ekipet e Superiores.

Por, klubi fierak e sheh si liderin e skuadrës, ndaj edhe pret me padurim që ai të zbresë në fushë. Këtë sezon, Apolonia ka pretendime madhore, ndaj edhe Mihana do t’i bënte shumë punë skuadrës së Mihos që në vijën e parë ka shfaqur probleme, pasi ende nuk ka një sulmues goli pas dëmtimit të Mihanës.

E. Saliu /Vipsport.al/

more recommended stories